E Diel, 1 Nëntor 2026

Botërori, ka dhe pak Shqipëri në Afrikë



Leonard Karaj

Do ketë edhe pakëz Shqipëri sot në "Socer City Stadium" të Johanesburgut. Përveç atyre tifozëve të mundshëm shqiptarë të cilët kanë udhëtuar privatisht për në Afrikën e Jugut, zyrtarisht sot në ceremoninë e hapjes së do të jetë edhe një delegacion i vogël i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Mësohet se presidenti Armand Duka, zv/presidenti, Lutfi Nuri si dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishi kanë marrë ftesë zyrtare nga presidenti i FIFA-s, Jospef Blater për të qenë të pranishëm në stadium me rastin e hapjes së Botërorit të 19-të. Nisur nga largësia e madhe është e natyrshme që nuk mund të ketë një shenjë barazie mes botërorit të 4 viteve më parë në Gjermani me këtë të sivjetmin që starton sot. Në "Gjermani 2006" gjatë ceremonisë së hapjes veç ftesave zyrtare si në rastin e tanishëm ka pasur edhe një numër të madh tifozësh shqiptarë, kryesisht emigrantë me banim në vende të ndryshme të Europës. Ndërsa në rastin konkret, duke u interesuar edhe në agjencitë e ndryshme të udhëtimeve, mësohet se numri i tifozëve shqiptarë të interesuar për të udhëtuar drejt Afrikës së Jugut ka qenë thuajse i papërfillshëm.
Ndërsa nuk ka një tregues të saktë për VIP-at shqiptarë që mund të jenë larguar ose që kanë mundur të sigurojnë një biletë për ndeshje të ndryshme të këtij evenimenti. E sigurt është vetëm pjesëmarrja e delegacionit shqiptar të FSHF-së, jo vetëm sot në ceremoninë e hapjes por edhe në finalen e madhe e cila do të luhet sërish në këtë stadium më 11 korrik. Ndërsa Kupa e Botës do të jetë e pranishme në të gjitha familjet shqiptare nëpërmjet paketës me pagesë Supersport dhe televizionit publik shqiptar në të gjitha sfidat e këtij Kampionati Botëror. Ndërkohë zyrtarisht Shqipëria nuk ka qenë në listën e vendeve të cilave u ishin rezervuar bileta të veçanta për tifozët e vet ndaj mendohet se drejt Afrikës do të udhëtojnë vetëm ata shqiptarë, të cilët biletat i kanë siguruar nga vende të tjera, kryesisht të Europës. Ndërkohë edhe në Federatën Shqiptare pohohet se FIFA nuk ka dhënë qoftë edhe një kit të rezervuar për VIP-at, kjo edhe për faktin se kërkesa për bileta të këtij Botërori e tejkaloi çdo parashikim të bërë nga zyrtarët dhe organizatorët e evenimentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›