E Diel, 1 Nëntor 2026

Halili: Tirana nuk vuan nga financat



Sponsori i Tiranës Refik Halili është i qartë se klubi nuk ka pasur dhe nuk do të ketë probleme financiare, nëse do të zbatohen kushtet e vendosura nga ai. "Tirana nuk vuan nga financat. Ekipi mund të fillojë të funksionojë menjëherë, nëse ka vullnetin e duhur. Unë kam premtuar që do të jap një milion dollarë. Kam kushtet e mia që i kam vendosur dhe nuk tërhiqem nga ato. Zgjedhja i mbetet bashkisë. Nuk e kuptoj se pse i zvarrit gjërat, kur e ka zgjedhjen", u shpreh Halili. Klubi bardheblu po përpiqet të gjejë stabilitetin financiar. Sipas Halilit një gjë e tillë është menjëherë e zgjidhshme. I angazhuar për këtë ka qenë edhe vetë kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Por javët e fundit në klub janë përpjekur që të afrojnë donatorë të rinj. Interes ka pasur për dy ish sponsorët Ngjela dhe Papuli.
Ndërkohë as dje nuk u arrit të realizohet "takimi i paqes" me kryebashkiakut Edi Rama dhe Refik Halilit. Sipas burimeve, pranë këtij të fundit ai nuk mundi të ishte i pranishëm, pasi nuk ishte lajmëruar fare për një gjë të tillë. "Nuk arrita të shkoja në takim, pasi nuk u njoftova nga askush", është shprehur Halili. Ndërsa ngërçi më i madh dhe absurdi në këtë mes qëndron në faktin se me mënyrën sesi po afrohen sërish pranë klubit, dy ish-donatorët Ngjela e Papuli shkelet me të dyja këmbët statuti i klubit. Si në rastin e parë kur katërshja Halili, Ngjela, Papuli, Nuri i zgjedhën si donatorë dhe si në rastin e 2007-ës kur u ndanë sërish pati një asamble e cila mori vendimin. Ndërkohë në rastin konkret po anashkalohet totalisht jo vetëm kryesia e klubit por edhe asambleja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›