Botërori, një zhgënjim 300 milionë euro
është java e parë pas Botërorit 2010: koha e llogarive, për mirë apo për keq, rreth muajit futbollistik në Afrikën e Jugut. Mediat britanike kanë përpiluar formacionin e lojtarëve që kanë zhgënjyer në evenimentin më të rëndësishëm të top-këmbës, ndërsa vlera e tyre shkon në afro 300 milionë euro. I padiskutueshëm portieri: në pozicionin ku pjesa më e madhe e “gardianëve” dhanë më të keqen e tyre, ai që ka dalë mbi të tjerët është Robert Grin. Portieri i Anglisë ka luajtur shumë pak në Kupën e Botës, megjithatë gafa e pafalshme në sfidën me SHBA-në bëri që të mposhtte konkurrencën dhe të jetë titullar në skuadrën e lojtarëve që dështuan. Pas ndeshjes së parë, trajneri Fabio Kapelo e “gozhdoi” në stol, ndërsa mes shtyllave u aktivizua Devid Xhejms (që më 1 gusht feston 40-vjetorin e lindjes). Për Grin, SIR (“Sin Index Rating”, indeksi i fajit) është llogaritur në 99 për qind. Moduli i lojës, i cili mund të interpretohet si një 4-4-2 klasik, shndërrohet në 4-1-3-2 nëse merret parasysh që përpara repartit difensiv qëndron Mark van Bomel, i cili mund të mbështetet tek eksperienca e dy mbrojtësve të qendrës, mosha e përbashkët e të cilëve është plot 70 vjeç. Njëri prej tyre është Fabio Kanavaro, mbrojtësi i Italisë, që mori pjesë në finalen e Johanesburgut, por vetëm për të dorëzuar kupën e botës. Shoku i repartit të kapitenit “axurr” është francezi Uilliam Gallas, me 98 për qind SIR. Në krahët e mbrojtjes rreshtohet sërish një element i Francës, Patris Evra, që me paraqitjen e tij cilësohet si fajtor me 94 për qind faj, ndërsa në krahun e djathtë qëndron Jonas Gutierrez, me 89 për qind.
Kur spostohesh te mesfusha, bie në sy se ky është reparti që ka më shumë yje. Futbollistë që paguhen me miliona euro, por që në fushën e lojës nuk kanë treguar asgjë. Fillojmë nga i lartpërmenduri Van Bomel, i cili është kritikuar shumë për lojën e tij, ndërsa nuk kanë munguar komentet se ai luajti me Holandën, pasi është dhëndëri i trajnerit Van Marvijk. “Tulipani” ndiqet nga treshja e mrekullive: Kaka, Kristiano Ronaldo dhe Riberi. Nëse faji i brazilianit është vlerësuar në nivelin 66 për qind, kur vjen radha e Riberisë përqindja rritet në mënyrë të frikshme. SIR e francezit është 94 për qind, ndërsa epitetet janë të shumta: “I tmerrshëm, i llahtarshëm, i frikshëm, i shëmtuar”. Për Kristiano Ronaldon ka pak për të thënë: mes thonjve të lyer dhe fëmijës, nëna e të cilit ka mbetur anonime (kundrejt pagesës 12 milionë euro), SIR për portugezin është 99 për qind neto.
Indeksi i fajit është i njëjtë edhe për një tjetër “big”: sulmuesin e Anglisë, Uejn Runi, që me mendje mbeti në Mançester, ndërsa në Afrikën e Jugut thjesht u paraqit fizikisht. Partneri i tij në sulm është protagonisti negativ i botërorit të Francës, Nikolas Anelka. Një “bomber” që sipas “The Sun” i dha më shumë gojës, ndërkohë që duhej t’u jepte këmbëve. Faji me 95 për qind duket shumë pak për lojtarin e çelsit, rreth të cilit u përqendrua disfata e “gjelave”. Pak dyshime për postin e trajnerit: atë e ka merituar Rajmond Domenek. I vetmi teknik që ka arritur të “urrehet njëkohësisht si nga tifozët, ashtu edhe nga lojtarët”. Indeksi i tij i fajit është 100 për qind.
#