E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, "outsider"-at në gjysmëfinale

Nga njëra anë kemi Uruguaj-Kore e Jugut dhe SHBA-Ganë, dy sfida prej të cilave nuk priten gjëra të mëdha. Nga ana tjetër Argjentinë-Meksikë dhe mbi të gjitha, Gjermani-Angli. Pra, një finale e parakohshme, në fund të së cilës, njëra prej pretendenteve duhet t’i thotë lamtumirë Afrikës së Jugut.

Uruguaji, Koreja e Jugut, SHBA-të dhe Gana kanë një rast sa të veçantë, aq edhe të çuditshëm. Fitueset e këtyre dy çifteve do të sigurojnë çerekfinalen dhe do të takohen mes tyre për një biletë mes katër më të mirëve. Kjo do të thotë se gjysmëfinalja e parë e botërorit do të ketë protagoniste njërën prej këtyre përfaqësueseve.

Me plot gojën mund t’i quajmë “outsider”, pasi në fillim të aktivitetit askush nuk e besonte se mund të shkonin kaq larg. Për secilën, arritja në gjysmëfinale vlen sa një botëror i fituar. Nga forma që kanë treguar në grupe, Uruguaji duket disi më e favorizuar. Porta e dy herë kampionëve të botës vazhdon të mbetet ende e paprekur.

Kurse në anën tjetër të tabelës, tre nga katër ekipet që pretendojnë gjysmëfinalen, janë të mëdha. Në sfidën Argjentinë-Meksikë skuadra e Maradonës duket favorite, kurse midis Gjermanisë dhe Anglisë është e vështirë të bësh parashikime. Përballje që niset pa fitues, por që premton spektakël. Megjithatë, një gjë është e sigurt: në gjysmëfinale do të mungojnë dy prej ekipeve pretendente për të triumfuar në fund.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›