Botërori, policia survejon tifozët në lokalet e basteve
Botërori nuk ka aktivizuar vetëm forcat e rendit në Afrikë, por edhe në Shqipëri. Qendrat e basteve, lokalet ku ndiqen ndeshjet e kampionatit në Tiranë survejohen në mënyrë precize nga struktura të posaçme të policisë. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se janë marrë masat për evitimin e të gjitha incidenteve gjatë ndeshjeve të kampionatit botëror. Shërbimet e komisariateve të policisë në Tiranë si dhe seksionet e sektorët e policisë po monitorojnë në vazhdimësi situatën në kontroll-territori, por njëkohësisht edhe përthithjen e informacioneve për elementë me tendenca keqbërëse në dëm të jetës, apo krimit kundër personit. Kryesisht mbahen nën kontroll të gjitha ambientet publike, ku jepen apo transmetohen këto ndeshje, qofshin në lokale, qofshin në pika të lotarive sportive, qoftë dhe në ambiente të tjera publike, ku shfaqen me videoprojektor. Pra, ata po mbahen nën kontroll nga shërbimet permanente policore, por dhe me shërbime të hetimit të krimit për të marrë informacionin e duhur, në kohën e duhur dhe për të rritur parametrat e sigurisë. Shërbime me dhe pa uniformë janë angazhuar sipas një plani të mirëdetajuar të evidentojnë dhe parandalojnë aktivitetin e paligjshëm të personave me precedentë, të cilët mund të provokojnë prishjen e rendit dhe qetësisë publike.
#