E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakël e tension,Brazili mund Bregun e Fildishtë


Kombëtarja e Brazilit ka shënuar fitore prej 3-1 përballë Bregut të Fildishtë, për të siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.

Një lëvizje të bukur të Ricardo Kaka e shfrytëzoi Luis Fabiano, i cili edhe më bukur mposhti portierin Copa (25') dhe me epërsi minimale të brazilianëve përfundoi pjesa e parë.

Ishte sërish sulmuesi i Sevillas, Fabiano, që dyfishoi në pjesën e dytë (51') duke treguar mjeshtërinë e tij, pavarësisht se kishte ndalur topin me dorë.

Fitoren e Selecaos e vulosi Elano, i cili pranoi një krosim të Kaka për të realizuar golin e tretë (62').

Në minutat e fundit, Bregu i Fildishtë krijoi presion për të ndryshuar diçka, por krejt çfarë bëri ishte vetëm një gol i shënuar nga Didier Drogba (79').

Me këtë fitore, Brazili arrin në kuotën e gjashtë pikëve dhe siguron kualifikimin në fazën e radhës, ndërsa xhiroja e fundit do të vendosë se në cilën pozitë do ta përfundojë fazën grupore të Botërorit.

Në fund të ndeshjes pati edhe disa momente tensioni dhe ndërhyrje të parregullta, ndërsa pas dy kartonave të verdhë Kaka la fushën e lojës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›