Dështim italian
Italia barazon sërish 1-1. Por këtë herë nuk ka dyshime: gota është gjysmë bosh pas barazimit me Zelandën e Re. Shmelcit i përgjigjet Iakuinta me penallti, por nuk mjafton. As për të mundur “All Whites”-at, atletë kolosë, por modestë, as për të hapur rrugën drejt 1/8-ave. Paraguai i shikon tani nga lart, me dy pikë avantazh në krye të Grupit F dhe fitorja ndaj Sllovakisë bëhet një detyrim për të qenë e sigurt për kalimin e turit. Megjithatë, ajo nuk i garanton kreun e grupit, që do të thotë shmangien e Holandës. Sfida ndaj skuadrës së Hamshik më 24 qershor është jetësore për ekipin e Lipit. Do të duhet një Itali më e mirë. Dje u tregua shumë zemërgjerë dhe aspak e saktë, ka sulmuar shumë, por ka krijuar pak. Do të duhen sulmues më të inspiruar se në 180 minutat e para të Botërorit 2010. Reparti i avancuar ishte pika e dobët e Italisë. Këtë herë De Rosi, pas golit ndaj Paraguait, ka evituar probleme më të mëdha me fitimin e një penalltie të dyshimtë.
Fillim shokues — Nis me Italinë, që u përgjigjet muskujve të kundërshtarit me muskuj. Treshes së fuqishme të sulmit të Zelandës u përgjigjet me Xhilardinon e Iakuintën. Di Natale është në pankinë dhe me të edhe fantazia. Në minutën e 7 Zelanda e Re kalon në avantazh. Goditje dënimi nga Eliot, topi i devijuar nga Reid, Kanavaro (i cili feston jo mirë prezencën në botëror, si Zof) e kontrollon keq në zonë dhe devijimi i tij shndërrohet në asist për komod për pësimin e golit. Për t’u çuditur, por është ankth i vërtetë: Italia në disavantazh. Dhe ndeshja nuk ecën aspak mirë, me gjithë reagimin italian: Zelanda e Re luan me pasa të gjatë për kolosët e saj, axurrët vuajnë fizikisht. Dhe Italia bën gabime: luan me pasa të gjatë, që nuk gjejnë Xhilardinon e bllokuar nga mbrojtësit.
Reagimi i Italisë — Por nuk mund të mbarojë kështu dhe në fakt axurrët me kalimin e minutave gjejnë (të paktën pjesërisht) vendosjen taktike. Lipi shpërthen, Montolivo bën “playmaker”-in, distributorin e topave. Një e majtë e bukur e tij përfundon në shtyllë dhe ai ngre duart te flokët. Italia shtyn në të majtë me Zambrotën, i rrezikshëm me një gjuajtje, Kielini humbet një rast në mes të rrëmujës dhe merr një tjetër shkelm nga Falon, që kishte një karton. Por nuk vjen i dyti i verdhë, pasi gjyqtari Batres e fal. Pas 28 minutash ai jep një penallti të dyshimtë për kampionët e botës. Smith mban për bluze në zonë De Rosin në krosin e Kielinit. Tërheqje e lehtë, por për gjyqtarin është penallti. Nga pika e bardhë Iakuinta mposht Pastonin. Barazim 1-1. Dhe festimi i axurrëve është i formatit vuvuzela. Italia nuk bind. Barazimi i ka dhënë frymëmarrje, por rezultati nuk ndryshon deri në fund të 45 minutave.
Ndryshon sulmi — Jashtë Xhilardino, nën nivel, brenda Di Natale. Jashtë Pepe, brenda kualiteti i Kamoranezit. Në një 4-3-3 me Kamoranezin modifikon 4-4-2-shin e fillimit. Por Italia e fillimit të pjesës së dytë është shumë konfuze se ajo e pjesës së parë. Dhe në këtë moment Lipi guxon akoma më shumë me një lëvizje thuajse të dëshpëruar: brenda Pacini në vend të Markizios. Tani në fushë janë Iakuinta, Pacini, Di Natale, plus mesfushorëve ofensivë si Kamoranezi e Montolivo.
Ka vetëm terror — Viceliç me një gjuajtje jo të mirë, i fut të dridhmat Marketit: topi përplaset në shtyllë. Ka shumë frikë. Italia sulmon me kokën poshtë, por dështon shumë, tepër. Montolivo riprovon sërish, Paston grushton mirë. Dhe rastin më befasues e ka Zelanda e Re në fundin e ndeshjes: një e majtë e Vud, topi i kalon mes duarve portierit Marketi, i cili e largon shpejt. Mundet edhe të kishte dalë më keq, por ky barazim 1-1 është gjithsesi një hap prapa. Kjo Itali zhgënjen.
#