E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili mund Bregun e Fildishtë me dy duart e Luis Fabianos

Grupi G Dopjetë e “O Fabuloso”-s, shënon dhe Elano. Goli i Drogbasë nuk u mjafton afrikanëve

Brazili shkatërron Bregun e Fildishtë 3-1. Protagonist është Luis Fabiano, jo vetëm me dopjetën e tij, por edhe për dy prekjet me dorë të topit te goli i dytë, por që gjyqtari “bën” sikur nuk e shikon. Pas 15 minutash lojë, në të cilën skuadrat kanë studiuar njëra-tjetrën, ku u shfaqën të barabarta në planin e lojës, Brazili pak nga pak ka mundur të marrë kontrollin e lojës. I pari që humbet një rast për shënim ishte Robinjo, pak sekonda më pas, me një të majtë në hyrje të zonës. Më pas Gilberto Silva dhe sërish Santos në të njëjtin aksion nuk e kanë gjetur dot golin e avantazhit: gjuajtja e të parit u përplas në mur, ajo e të dytit përfundoi jashtë. Bregu i Fildishtë ka reaguar mirë, por duke ngadalësuar ritmin në fazën qendrore të sfidës. Me ritme të ulura, ai që merr fjalën është Kaka, i cili me një goditje të tipit bilardo ka dhënë një top të filtruar në mesin e zonës së afrikanëve, asist perfekt për Luis Fabianon: e djathta e tij në minutën e 25 përfundon në rrjetë, në lartësinë e shtyllës së parë, ku portieri nuk ka se si të arrijë ta ndalojë. Që këtu Brazili luan, Bregu i Fildishtë mbyllet në mbrojtje, para se të rifillojë të ngrejë ritmin në fundin e pjesës së parë: shfaqet rrezikshëm në dy raste Aruna Dindane, ndërsa Drogba, deri në atë moment, nuk është parë praktikisht fare. Rifillimi i të dytës nis me një gol jo të rregullt të Brazilit, por që vetëm gjyqtari nuk e ka gjykuar të tillë. Në minutën e 51 “O Fabuloso”, i cili kalon dy kundërshtarë me dy “sombrero”, hyn në zonë dhe me të majtën mposht portierin. Gol i mrekullueshëm, por i realizuar pas dy prekjeve me dorë të topit nga vetë Luis Fabiano, por që gjyqtari nuk e ka parë. Në minutën e 62, Elano, i lënë i lirë nga mbrojtësit afrikanë, shënon pas asistit të marrë nga Kaka. Në minutën e 79, Drogba demonstron se është në fushë, kur realizon golin e 3-1, por koha nuk premton. Humbja vuloset me kartonin e kuq për Kakanë (dy të verdhë) për lojë antisportive.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›