E Diel, 1 Nëntor 2026

Botohet në Fletoren Zyrtare. Policia bën gati dosjet e para për prokurorinë

Shteti shqiptar ka “legalizuar” ligjin e ri “Antimafie”, që u sekuestron pasurinë shtetasve që dyshohet se merren me krim të organizuar dhe pastrim parash, edhe nëse ndaj tyre nuk ka një procedim penal. Në datën 24 dhjetor ligji në fjalë është botuar në Fletoren Zyrtare me numër 181, duke sjellë një risi në legjislacionin shqiptar, pasi tashmë të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë duhet të kenë frikë për pasuritë që kanë vënë në “të zezë” gjatë viteve të tranzicionit.
Mjafton që një punonjës i policisë apo i prokurorisë të hartojë dy-tri letra, të bazuara në indice, se merresh me krim të organizuar apo me pastrim parash dhe pasuria, shtëpia apo objekte të tjera do të bllokohen. Edhe nëse pushohet hetimi, sekuestrimi do të vazhdojë. Në këtë rast barra e provës i atribuohet personit të akuzuar dhe jo institucioneve të drejtësisë.
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se Fletorja Zyrtare ka mbërritur në prokurori dhe tashmë po pritet afati 30-ditor i hyrjes në fuqi të ligjit për të vepruar konkretisht. Sipas të dhënave, ligji në fjalë hyn zyrtarisht në fuqi në datën 24 janar. Megjithatë, të dhënat e marra nga policia flasin se janë përgatitur dosjet e para që do të hetojë prokuroria.
Kush preket
Zyra e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda po punon për rivlerësimin e masave të sekuestros ndaj disa të pandehurve që janë në proces hetimi dhe gjykimi. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, ligji i ri “Antimafie” do të prekë një pjesë të mirë të dosjeve që ndodhen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në njësitë antikorrupsion. Sipas të dhënave nga prokuroria, mund të preken edhe dosjet që janë nën hetim, që nuk ka filluar procedimi penal dhe dosjet që janë pushuar apo që ka vendosur gjykata pafajësi. Mjafton që të jenë hetuar apo gjykuar për krim të organizuar e pastrim parash dhe do të bëhen objekt i këtij ligji. Megjithatë, ende ligji konsiderohet me probleme, pasi janë disa nene të debatuara.
Njëri prej tyre ka qenë neni 3, i cili bën fjalë për fushën e zbatimit. Në nënpikën e parë të këtij neni, thuhet se “Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar në indicie”. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se ligji që është miratuar ka disa ndryshime të mira, por sërish ka shumë probleme. Vetëm perifrazimi “bazuar në indicie” është shumë i gjerë dhe mund të përbëjë arbitraritet në zbatimin e tij. Ligji që është botuar në Fletoren Zyrtare ka përjashtuar nga hetimi të gjithë zyrtarët.
Ministria e Drejtësisë, në draftin e parë, parashikonte se objekt i këtij ligji ishin edhe disa vepra penale në fushën ekonomike si korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Në draftin e parë parashikohej që të hetoheshin edhe vetë gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarët e tjerë të organeve të drejtësisë, por këto të dhëna janë hequr në Komisionin e Ligjeve. Ndërkohë që është shtuar vepra penale e pastrimit të parave dhe prostitucioni.
Kompetenca dhe rishikimi
Ndërkohë, një nga problemet e tjera të konstatuara është për sa i përket kompetencës që i jepet Gjykatës së Krimeve të Rënda të sekuestrojë dhe konfiskojë pasuri që nuk janë vepra penale të parashikuara në ligjin për funksionimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. “Nuk kuptohet se ç‘lidhje ka kjo gjykatë me këto vepra dhe si mund t‘i jepen këto kompetenca me një ligj të thjeshtë, ndërkohë që kompetencat janë të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjin organik që kërkon miratim me 3/5”, deklarojnë grupet e interesit.
Megjithatë, grupet e interesit e kanë të pamundur që të rikthejnë ligjin. Të dhënat nga prokuroria deklarojnë se shoqatat dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë të gjithë tagrin për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj shumë të debatuar. Por edhe gjyqtarët që vërejnë mospërputhje të ligjit me Kushtetutën mund të kërkojnë pezullimin dhe rishikimin e ligjit. Ndërkohë që shtetasit shqiptarë që mund të bëhen objekt hetimi nga ligji “Antimafie” mund t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese interpretimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›