Ish-presidenti i KF Lushnja mund të jetë personi i parë që mund të hetohet me ligjin e ri “Antimafie”
Ish-presidenti i ekipit të futbollit të Lushnjës, Edmond Bego, i dënuar në shtetin italian për trafik droge dhe i hetuar në Shqipëri për pastrim parash, mund të jetë personi i pari që të preket nga ligji i ri “Antimafie”. Policia e Shtetit deklaron se ka një dosje voluminoze me të gjitha transfertat bankare nga Italia në Shqipëri të anëtarëve të Bandës së Lushnjës, ku “financier” dhe “investues” është pikërisht Edmond Bego. Të dhënat e policisë flasin se përfitimet nga trafiku i drogës në Itali janë investuar në Tiranë e Durrës, ku janë ngritur prona të paluajtshme. “Kemi evidentuar se personi i arrestuar, Manoli (Edmond) Bega kontrollonte linjën e trafikut të drogës. Paratë e fituara nga kjo veprimtari e paligjshme investoheshin në fushën e biznesit, duke ngritur mjaft prona të paluajtshme, në formën e pallateve dhe vilave”, deklarojnë burimet nga policia, të cilat saktësojnë se informacionet do të serviren në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Akuza për të cilën do të hetohet, është pastrimi i produkteve të veprës penale. “Ka dyshime se disa biznese, të evidentuara në pronësi të Begës dhe të anëtarëve të tjerë të bandës, janë ngritur nga trafiku i drogës. Kemi të dhëna se në këto raste ka një pastrim parash, vepër e cila është e përfshirë në ligjin e ri ‘Antimafie’”, deklarojnë burimet nga policia.