E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dëmtuarit nga shembja e pallatit: Do të bëjmë padi tjetër

Pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për shtatë të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë së 9 nëntorit, familjet e prekura do të bëjnë padi civile. "Familja ime dhe disa të tjera që humbën shtëpinë dhe katandinë në këtë tragjedi jemi duke përpiluar një padi civile për kompensimin e humbjeve që pësuam dhe që nuk na janë dhënë nga shteti në të gjitha nivelet e tij", thotë një nga kryefamiljarët e dëmtuar në këtë tragjedi. Sipas tij, vendimi i gjykatës ishte shumë i butë, kur mendon se përmasat e tragjedisë ishin të tmerrshme. Nën rrënojat e pallatit humbën jetën tre persona. "Kur them se vendimi ishte i butë, nuk kam parasysh aspak personat që morën dënimin, por ata që kanë realisht përgjegjësi ligjore për këtë katastrofë, ata që nuk u përmendën fare në asnjë seancë të maratonës gjyqësore. Unë kam humbur në këtë tragjedi vetëm shtëpinë. U takon atyre që humbën të afërmit e tyre që të shprehen për drejtësinë e vendimit", shton më tej ai. Sipas familjarëve, që çuditërisht nuk dihet se për çfarë arsye apo presione nuk duan të identifikohen me emrat e tyre në këto deklarime, historia e kësaj tragjedie nuk përfundon këtu. Ndërkohë dhe përfaqësuesit e organit të akuzës kanë reaguar pas vendimit të togave të zeza. Burime nga Prokuroria e Gjirokastrës thanë se vendimi i gjykatës ishte jashtëzakonisht i butë jo vetëm për personat që u dënuan me burg dhe gjoba, por edhe për disa nga të akuzuarit që u shpallën të pafajshëm me këtë vendim. Sipas këtij burimi, grupi i prokurorëve është duke përpiluar ankimimin për Gjykatën e Apelit me argumente që kundërshtojnë këtë vendim. Ankimimi do të bëhet me pretendimin e dënimeve të buta dhe pafajësisë së pamotivuar ligjërisht, natyrisht mbështetur edhe në prova ligjore dhe brenda afatit ligjor do të paraqitet në Gjykatën e Apelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›