FMN: Buxheti 2008, i rrezikuar nga kriza energjetike
Autori i Lajmit: Silvana BalliuMisioni i Fondit Monetar që ka mbërritur në Tiranë, gjatë një deklarte zyrtare për shtyp është munduar të heqë çdo frikë dhe të zhbëjë parashikimet se kriza energjetike, apo rritja e çmimit do të cënojne rritjen ekonomike.
"Tronditjet e pafavorshme të shkaktuara nga faktorë të jashtëm nuk kanë ndikuar deri tani në zhvillimin ekonomik, por ato kanë çuar drejt një rritje të presioneve inflacioniste. Performanca e eksportit, e cila ka qenë më e fuqishme sesa ishte parashikuar, përfshirë këtu edhe rritjen e turizmit, ka kompensuar pjesërisht ndikimin negativ të krizës energjetike dhe prodhimi industrial ka qenë i mbrojtur nga ndërprerjet e energjisë në një masë të madhe. Besueshmëria që ka krijuar tashmë Banka e Shqipërisë duhet të ndihmojë për të mbajtur inflacionin nën kontroll", tha Gerein Bell, shef i misiont të FMN-së. Megjithate buxheti i vitit të ardhshëm, sipas shefit të misionit kërcënohet nga disa risqe, ku një ndër to është kriza energjetike, veçanërisht mbarëvajtja e Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, që ende nuk e ka lënë të kënaqur këtë institucion.
Investimet
"Gjërat janë përkeqësuar që nga hera e fundit që ne ishim këtu. Kjo ka ndodhur për shkak të thatësirës, por gjithashtu edhe për disa objektiva të planit të masave të KESH-it, që nuk janë realizuar. Në diskutuam me qeverinë dhe KESH-in për të parashikuar masat, por dhe disa masa të tjera financiare që do të nevojiten për të mbrojtur buxhetin e vitit 2007, sikurse janë edhe fokusimi më i mirë i kufizimeve, rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe përmirësimet për performancën e arkëtimeve dhe humbjeve në KESH", u shpreh Bell. Në mes të debatit të nxehtë për rrugën Durrës-Kukës, Bell është pozicionuar duke u shprehur për vazhdimësinë e projektit. Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideron një projekt të rëndësishëm rrugën Durrës-Kukës, por thekson se ka pasiguri rreth kostos së projektit dhe mënyrës se financimit. "Përsa i përket investimeve kapitale ne kemi në vëmendje edhe projektin e madh të rrugës Durrës-Kukës për shkak të pasigurisë në buxhet, që lidhen me faktin se sa kushton projekti, por edhe për fiancimin e tij. Unë mendoj se është e rëndësishme që këto projekte të vazhdojnë përpara, pavarësisht kostos", tha Bell.
Deklarata e Bodes
Nga ana e tij, ministri Bode ka pranuar se qeveria mbetet ende larg objektivave të vendosura për këtë vit, përsa i përket investimeve publike. “Ne kemi ecur sipas programit me shpenzimet, kemi një rritje në krahasim me një vit më parë të shpenzimeve për investime me 58 për qind, ndërkohë që në këtë zë mbetemi ende larg objektivave të vendosura për këtë vit dhe që kushtëzohet me vëllimin e madh të investimeve publike të programuara nga qeveria në mbështetje të prioriteteve të saj në sektorët e infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit” tha Bode. Përsa i përket risqeve që kërcënojnë buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe si do të përballohet investimi i rrugës Durrës-Kukës, ministri Bode saktësoi si më poshtë: Teorikisht ekzistojnë gjithmonë risqe. Por unë ju kam siguruar dhe ju siguroj që jo vetëm nuk do të ketë risk për realizimin e të ardhurave në buxhet por, mbase është pak shpejt, kur të miratohet buxheti 2008 në Kuvend do t ju them se kur do të ketë buxhet shtesë. Pra ne jemi duke shkuar me siguri maksimale dhe mirëkuptojmë çdo kërkesë që bëjnë partnerët tanë ndërkombëtarë për rripat e sigurimit që i kanë me shumë merak. Sepse çdo bashkëpunim i tillë në të gjitha vendet bëhet përmes këtyre instrumenteve. Ne i kemi mirëkuptuar që në fillim dhe po vazhdojmë prej 2 vjetësh me këtë sistem dhe jemi në një sistem tepër komod. Asnjë lloj risku, me përjashtim të riskut që vjen nga energjia elektrike dhe që nuk varet nga puna e ministrisë së Financave apo e qeverisë në tërësi dhe që lidhet gjerësisht me kushtet atmosferike dhe çështje që kanë të bëjnë me administrimin. Mendoj që risqet e tjera janë risqe që duhet t i pranojmë virtualisht por në terma real nuk do të ketë asnjë risk. Në infrastrukturë nuk do të ketë probleme sepse dihet se për të financuar vëllimin e punimeve të vitit 2008 të rrugës Durrës – Kukës ne kemi kontraktuar një kredi prej 230 milionë euro, kjo do të thotë që nuk do të dalë asnjë lek nga buxheti për këtë rrugë gjatë vitit të ardhshëm dhe kostoja e rrugës nuk mund të ndikojë standardin e buxhetit dhe garancinë që do të ofrojë buxheti, pasi parashikimi i vëllimit të punimeve sipas MPPTT –së dhe kompanisë shkon në rreth 200 milionë euro. Pra për vitin që vjen nuk bëhet fjalë për riskt financimi. Ajo do të diskutohet për vitin 2009 kur të kemi të dhënat përfundimtare. Por edhe mundësitë për të rritur financimet tona janë gjithnjë e më të mëdha. Duhet ta dini që këtë vit ne financojmë për investimet publike 800 milionë USD dhe kjo është një shifër jo e neglizhueshme, kur para 3-4 viteve ka qenë maksimumi 200–250 milionëë USD.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007