Veliaj: Heqja e taksës, sfidë e përbashkët
Kreu i G99-ës zhvilloi dje një takim me banorët e Gramshit. Gjatë këtij takimi, Veliaj u shpreh se beteja më e madhe e opozitës aktualisht është heqja e taksës së votës. "Beteja më e madhe e jona sot", tha ai, "është që të heqim njëherë e përgjithmonë taksën e votës. Është e pafalshme që Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku për të votuar duhet të paguash". Lideri i G99-ës u shpreh më tej se një tjetër sfidë, tashmë e pashmangshme, është edhe kriza ekonomike, ekzistenca dhe risqet e së cilës vazhdojnë të mohohen nga qeveria. Në qytetin e Gramshit familjet më të shumta vazhdojnë të jetojnë me të ardhurat që të afërmit e tyre emigrantë u dërgojnë çdo muaj, të ardhura që gjithnjë e më shumë po pakësohen, pikërisht si pasojë e krizës ekonomike që qeveria "Berisha" mohon se mund të prekë dhe shqiptarët. "Ne jetojmë sot mes dy standardeve", shtoi më tej Veliaj, "standardi i parë është standardi i politikanëve, standardi tjetër është i shqiptarëve që u duhet të çojnë fëmijët e tyre në shkollat shqiptare, atje ku asnjë politikan nuk guxon t‘i çojë fëmijët e vet".