Topalli: Lejet e ndërtimit, Rama theu rekordin
Gjatë turit të saj me gratë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dje u ndal në Komunën e Bushatit në Shkodër, ku ashtu si herët e tjera nuk i kurseu akuzat ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama. "Në katër vjet ne ndërtuam në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama theu vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit për miqtë e tij", u shpreh kryeparlamentarja. Më pas ajo renditi disa nga sukseset kryesore të qeverisë "Berisha", duke deklaruar se "në 4 vite ne ndërtuam 1600 shkolla të reja apo të rikonstruktuara, një shifër rekord në shërbim të fëmijëve dhe të arsimimit të tyre". Duke krahasuar arritjet e qeverisë "Berisha" me ato të kryebashkiakut Rama, Topalli konstatoi se "në 4 vjet ne kemi rritur rrogat, kemi rritur pensionet, kurse në 9 vjet kryetari i Bashkisë të Tiranës ka rritur vetëm taksat. Ne kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama në fakt u mor vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranës". Por, pretendimet e Topallit janë kundërshtuar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi.