E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Berisha përuroi rrugën Gjirokastër-Tepelenë, vepër e qeverisë socialiste



Vetëm një ditë pas përurimit nga Kryeministri Berisha të rrugës Gjirokastër-Tepelenë, ka reaguar dje nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Gjatë një deklaratë për shtyp Braçe ka bërë të ditur se Sali Berisha gënjen kur thotë se po ndërton 800 km autostrada. Sipas Braçes, Berisha duhet të kishte mbaruar autostradat Lushnje-Fier, Fier-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Fier-Vlorë, Shkodër-Han i Hotit, si dhe rrethrrotullimin e Fierit. Më tej ai u shpreh se rruga Gjirokastër-Tepelenë është një vepër e qeverisë socialiste. “Ne e kemi nisur punën të parët në atë vepër, e kemi mbikqyrur, kemi kërkuar hesap për ritmet skandaloze në 2006, kemi thirrur ministrat që qeshin në interpelancë, për të aplikuar penalitete kur kontrata u shkelë. Që kryeministri ynë me shenjën e korrupsionit të mos këndojë më si gjeli tek plehu, dua të sjell në vëmendje të shqiptarëve faktin se: ne, socialistët, kur lamë pushtetin në 2005, i lamë të gatshme, në marrëveshje financiare të nënshkruara para Sali Berishës, për të ndërtuar këto autostrada: Lushnje-Fier, e cila duhet të mbaronte në shkurt të këtij viti. Fier -Vlorë, duhet të mbaronte në fund të këtij viti dhe s’dihet kur do përfundojë. Fier- Tepelenë, duhet të mbaronte në fund të këtij viti, por nuk ka filluar. Shkodër- Han i Hotit, e cila duhet të mbaronte në fund të këtij viti, por nuk ka filluar”, është shprehur Braçe.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›