Koalicioni i përbërë, PS-ja kopjon Berishën në 2005-n
Socialistët janë shprehur pro krijimit të një koalicioni të përbërë për tu futur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste Kastriot Islami ka shpjeguar dje funksionimin e një koalicioni të tillë. Madje ai ka bërë të ditur se koalicioni i përbërë është përdorur nga partitë e djathta në vitin 2005. Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur kundër krijimit të një koalicioni të tillë, të cilin Ilir Meta e ka cilësuar dje si koalicion bishtash.
Socialistët
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami bën të ditur se krijimi i koalicionit të përbërë nxit konkurimin e ndershëm mes partive brenda koalicionit, por ndihmon të majtën për të fituar sa më shumë vota. Krijimi i këtij koalicioni sipas Islamit nxit njëkohësisht konkurimin e ndershëm të ekipeve midis koalicioneve edhe forcave politike. Ndërkohë që votuesit përzgjedhin njëkohësisht koalicionin dhe forcën politike, me liderin, ekipin dhe programin më të mirë. “Votuesit përzgjedhin koalicionin fitues njëkohësisht me forcën drejtuese të qeverisjes së ardhshme. Votuesit me përcaktimin e njëkohshëm të koalicionit dhe të partisë fituese përcaktojnë vetë kriteret e formimit të qeverisjes së ardhshme. Vendimarrja e njëkohshme për koalicionin dhe partinë, ekipet dhe programet e tyre, kryhet nga votuesit dhe jo nga pazaret e tavolinave e te individëve”, këto janë disa nga pikat që PS-ja ka paraqitur për krijimin e koalicionit të përbërë.
LSI
Nga ana tjetër kryetari i LSI-së e ka cilësuar krijimin e koalicionit të përbërë si një koalicion bishtash dhe është shprehur kundër tij. “Koalicionet e përbëra janë, gjoja të konkurrojmë më vete, por të jetë në një koalcion, ku nuk ka rëndësi se çfarë pricnipesh ka apo do të ketë dhe nuk ka rëndësi se çfarë vlerash dhe çfarë qëllimesh, po ku i vetmi qëllim është që në fund fare, që në varësi të atyre presjeve dhjetore, që në mënyrën më të thjeshtë janë konsideruar bishta, të bëhet ndonjë shkëmbim, kush ka bishtin më të madh, të marrë bishtin atij që e ka më të vogël. Këto janë shprehje të një krize, ku këto forca politike kanë hyrë, për shkak të mungesës së principeve në vetë bërjen e një reforme elektorale të ndershme”, është shprehur Ilir Meta. Ai bëri të ditur se krijimi i këtyre koalicioni nuk është gjë tjetër veçse një marifet i politikës e cila gaboi në përzgjedhjen e sistemit zgjedhor. “Reforma Zgjedhore ka hyrë në qorrsokak që në natën e 21 Prillit kur u zgjodh një ashtuquajtur model spanjoll, për të përcaktuar rregullat e lojës elektorale. Që nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të deformuar përsëri sistemin zgjedhor dhe përfaqësimin e vullnetit politik të qytetarëve shqiptar”, është shprehur Meta. Në përfundim të fjalës së tij ai bëri të ditur se koalicioni që do të bëjë LSI në zgjedhjet e ardhshme do të jetë koalicion vlerash dhe principesh. “Ndaj edhe koalicioni që ne do të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme, sepse LSI nuk do të hyjë e vetme në zgjedhje ajo do të hyjë me shumë faktorë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, do të jetë në radhë të parë principesh, do të jetë një kolaicion vlerash, dhe do të jetë një koalicion qëllimesh tepër fisnike, në radhë të parë për të ardhmen e vendit tonë”, është shprehur kreu i LSI-së.
Koalicioni i përbërë sipas PS-së
• Koncept dhe praktike moderne, e standarteve demokratike
• Bazohet në vullnetin politik të forcave politike që bashkëndajnë vizione programore dhe qeverisëse
• Bashkëpunim në frymën e sistemit proporcional rajonal
• Bashkëpunim fleksibël që maksimalizon suksesin e njëkohshëm të koalicionit e të forcave politike përbërëse
• Nxit njëkohësisht konkurimin e ndershëm të ekipeve midis koalicioneve edhe forcave politike
• Votuesit përzgjedhin njëkohësisht koalicionin dhe forcën politike, me liderin, ekipin dhe programin më të mirë
• Votuesit përzgjedhin koalicionin fitues njëkohësisht me forcën drejtuese të qeverisjes së ardhshme
• Votuesit me përcaktimin e njëkohshëm të koalicionit dhe të partisë fituese përcaktojnë vetë kriteret e formimit të qeverisjes së ardhshme
• Vendimarrja e njëkohshme për koalicionin dhe partinë, ekipet dhe programet e tyre, kryhet nga votuesit dhe jo nga pazaret e tavolinave e te individëve neës
• Shmangen plotësisht pasojat e politikës së vjetër dhe te mandateve virtuale
25 Gusht 2008