Pellumb Xhufi: Rrëfej negociatat me PS-së për reformën zgjedhore
Shaban Sulçe
Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, deklaron se ftesa e LSI-së drejtuar Partisë Socialiste ka pasur për qëllim vetëm bashkëpunimin midis këtyre dy partive për çështjet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Xhufi e cilëson fantazi politike idenë e hedhur nga PS-ja për krijimin e koalicioneve të përbëra. Zëvendëskryetari i LSI-së thekson se LSI-ja nuk mund të dalë në një koalicion me një forcë politike që bashkëpunon ngushtë me Berishën, siç është kthyer në këto momente Partia Socialiste dhe lidershipi i saj. Xhufi deklaron se lidershipi i PS-së duhet të bashkëpunojë për reformën zgjedhore, për të plotësuar detyrimin që ata dhe gjithë politika ka ndaj qytetarëve për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Zoti Xhufi, pikërisht atëherë kur mendohej se negociatat midis PS-së dhe LSI-së nuk do të zhvilloheshin ndonjëherë, ju keni zhvilluar sërish një takim me kryetaren e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Si u mundësua ky takim, cilat ishin qëllimet e tij dhe çfarë u arrit?
Ajo që ka qenë anormale në këtë histori ka qenë pikërisht këmbëngulja e drejtueseve të PS-së për të injoruar partitë opozitare në procesin e reformave dhe për të mbyllur çdo gjë me PD-në e Sali Berishës. Ky përjashtim absurd e vetëvrasës i aleatëve realë e potencialë nga debati për reformat bëhet i pashpjegueshëm dhe i huton zgjedhësit e majtë, kur vetë Sali Berisha deklaron vazhdimisht se “çështjen e reformës zgjedhore ia ka lënë në dorë opozitës”. Në këtë kuptim, takimi i djeshëm, edhe pse shumë i vonuar, mund të konsiderohej një kthim në udhën normale nga ana e PS-së për të debatuar me ne për problemet e reformës zgjedhore, të paktën për disa aspekte të fundit të saj, pasi thelbi i vërtetë i “reformës” tashmë është “bashkëkontraktuar” me PD-në. Gjithsesi, unë dua të shpresoj se takimi ishte i sinqertë dhe nuk u bë thjesht për ta shfrytëzuar mediatikisht, siç edhe u pa në ndonjë deklaratë të bërë nga përfaqësuesit e PS-së pas përfundimit të takimit. Nga ana jonë ne këmbëngulëm në kërkesën tonë që procesi i reformës zgjedhore të vihet më në fund në binarët e transparencës e të gjithëpërfshirjes: zgjedhjet janë një çështje madhore për vendin dhe për qytetarët shqiptarë, ndaj ato nuk mund të monopolizohen nga parti të veçanta. Iu kujtuam kolegëve tanë se qasja përjashtuese e jo transparente në rastin e ndryshimeve kushtetuese ka dhënë rezultate katastrofale me efekt afatgjatë për demokracinë shqiptare, pikërisht sepse u zgjodh rruga e bashkëpunimit ekskluziv me maxhorancën e Sali Berishës. Për fat të keq, e njëjta qasje është vënë re edhe përsa i përket ngushtësisht reformës zgjedhore, e posaçërisht punës për hartimin e Kodit të ri. Ne deklaruam se dialogu për reformën zgjedhore jo vetëm është parimisht i domosdoshëm dhe i detyrueshëm, por ai do të krijonte edhe premisat për krijimin e një atmosfere normaliteti e luajaliteti, që do të ishte e rëndësishme për bashkëpunimin mes forcave tona në periudhën paszgjedhore. Ndaj vërtet është fakt pozitiv takimi i djeshëm, por sigurisht mbetet për t’u parë sesa i sinqertë është vullneti për të ndrequr atë çka mund të ndreqet në procesin zgjedhor pas dëmeve të pallogaritshme që iu bënë atij dhe gjithë kontekstit kushtetues pas ndryshimeve kushtetuese të kaluara më 21 prill nga dyshja PD-PS.
A shpresoni në mbylljen me sukses të negociatave me Partinë Socialiste për çështjet e reformës zgjedhore?
Ne duam të jemi pozitivistë, por le të jemi të qartë: tashmë nuk ka shumë për të rregulluar në procesin e reformës zgjedhore. Sistemi është vendosur tashmë, madje është fiksuar edhe modeli në Kushtetutë, një model fare i papërshtatshëm dhe i dëmshëm. Është vënë dorë mbi procesin e administrimit të votës, duke e skualifikuar KQZ-në si institucion me përgjegjësi e me status kushtetues. Ajo çka ne nuk do të lejojmë të ndodhë është që KQZ-ja të kalojë në varësira të hapura ose të fshehta, qoftë edhe duke pretenduar “depolitizimin” e saj: depolitizimi i institucioneve në kohën e Sali Berishës është një përrallë. Aq më tepër ne nuk do të lejojmë “rikompozime” të komisioneve zgjedhore, që do të nxirrnin prej tyre përfaqësuesit e LSI-së. Ne e bëmë të qartë se nuk ka më shans të ndodhë masakra e zgjedhjeve të 2005-s.
Cilat janë pikat që LSI-ja i cilëson si më prioritare dhe ku LSI-ja nuk lëshon pe për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor?
Theksova më lart se për ne është thelbësor administrimi dhe numërimi i votës. Në çdo rast ne nuk do të lejojmë që një proces i tillë t’u lihet përsëri në dorë komisioneve dhe komisionarëve të PD-së e PS-së apo të kontrolluar prej tyre. Kjo është parimore, ashtu siç është parimor edhe afrimi sa më shumë me frymën e sistemit proporcional të modelit proporcional-rajonal të zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga PS-ja e të mbështetur nga PD-ja. Kjo do të kërkonte zbatimin e një formule korrektuese, për të mos lejuar mosvlerësimin e mosllogaritjen e votës së qytetarëve. Për ne është gjithashtu e panegociueshme që qytetarët shqiptarë të regjistrohen në regjistrin elektronik dhe të pajisen me karta identiteti.
Si do të veprojë LSI-ja në rast se PS-ja dhe PD-ja do të miratojnë ndryshimin e përbërjes së komisioneve zgjedhore të numërimit dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve?
Nëse kjo ndodh, ne do fillojmë duke denoncuar me forcë tentativën e radhës së PD-PS-së për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të vjedhur votën e shqiptarëve, si në 2005-n. Për të tjerat nuk mund të shprehem tani, reagimet tona do të jenë në përputhje me zhvillimin e situatave.
Zoti Xhufi, në rast se PS-ja dhe LSI-ja do të binin dakord të bashkëpunonin për pikat më me rëndësi të reformës zgjedhore, si do të ndikonte kjo marrëveshje edhe për çështje të tjera, midis dy partive në fjalë?
Ne e kemi thënë qartë që në momentin që u drejtuam ftesën për takim kolegëve të PS-së: çdo gjest bashkëpunimi për reformën duhet të karakterizohet nga ndershmëria e luajaliteti. Ai është një obligim politik e moral, nuk është një “koncesion” dhe nëse deri tani nuk ka pasur një dialog për reformën zgjedhore dhe për reformat në përgjithësi, faji bie kryekëput tek të tjerët. Ne gjykojmë se takimet dhe diskutimet për problemin konkret dhe emergjent të Kodit Elektoral, pavarësisht nga rezultati, mund të ndikojnë për të krijuar një atmosferë më të favorshme për bashkëpunime të mundshme pas zgjedhjeve. Përsëris, me kusht që të jenë të sinqerta, dhe jo thjesht për përdorim mediatik.
A do të përbënte kjo marrëveshje një mundësi për daljen e opozitës në zgjedhjet e ardhshme vetëm në një koalicion të vetëm?
Në politikë çdo kthesë e bërë brenda sekondës o është një gafë, o është një blof. Në raportet mes PS-së e LSI-së, pas 21 prillit ka rrjedhur shumë ujë, dhe ujë i qelbur. Ne gjykojmë që me ndryshimet kushtetuese, lidershipi i PS-së i ka bërë një dëm të parikuperueshëm imazhit të së majtës. Por përtej imazhit këto ndryshime kanë kontribuuar së shumti për forcimin e pushtetit personal të Sali Berishës, për përmbysjen e raporteve institucionale dhe, për rrjedhojë, për një destabilitet politik e institucional afatgjatë. Ne nuk mund ta ndajmë në asnjë mënyrë me lidershipin e PS-së këtë përgjegjësi historike, këtë goditje që një parti e majtë i ka dhënë shtetit dhe demokracisë shqiptare. Përveç kësaj, tashmë janë përvijuar qartë dy qëndrime të ndryshme, të PS-së e të LSI-së në raport me qeverisjen e PD-së e në veçanti me kryeministrin Sali Berisha. Ne e quajmë çështje parimore një gjë të tillë. Nuk mund të bëhemi bashkëpërgjegjës e bashkëkontraktorë në një valle që e ka hequr lidershipi i PS-së me z. Berisha, që solli ndryshimet kushtetuese dhe që paralajmërojnë krijimin e një shteti totalitar me institucione të kapura, duke filluar nga institucioni i zgjedhjeve. Ndaj aktualisht bashkëpunimi ynë me PS-në ka për objektiv vetëm problemin emergjent të reformës zgjedhore, ose më saktë hartimin e Kodit Zgjedhor. Çdo gjë tjetër, përfshirë edhe “koalicionin e përbërë”, që një zot e di se ç’do të thotë, është fantazi politike ose manovër mediatike.
A mendoni se dalja me dy koalicione të mundshme do të ndikonte negativisht në rezultatin e së majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009?
Përkundrazi. Në radhë të parë, dalja më vete e LSI-së pasqyron një realitet të kristalizuar prej kohësh dhe që ka në bazë qasje ndonjëherë krejt të ndryshme ndaj problemeve themelore. Së dyti, dalja e së majtës jo “me një fytyrë”, por me dy ose më shumë fytyra, siç është me të vërtetë, vetëm se maksimizon votën e majtë, u ofron zgjedhësve alternativa. Dhe kjo është shumë e rëndësishme në këtë periudhë zhgënjimesh; ekzistenca e alternativave të majta, gjithsesi, e motivon zgjedhësin e majtë të shkojë e të votojë për një nga alternativat që ai e konsideron të besueshme për momentin. Në këtë mënyrë potenciali votues i majtë nuk cenohet. Nga ana tjetër, gjithkush matet me forcën reale që ka. Pjesa tjetër i përket periudhës paszgjedhore, por ky është një skenar për të cilin është herët të flasim.
25 Gusht 2008