E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në parti, Bamir Topi lobing për te fituar terren në PD



Eljona Ballhysa
Fushata zgjedhore që pritet të nisë në vjeshtë në Partinë Demokratike ka filluar që tashmë të përvijëzojë lobingjet e para të cilët kërkojnë më tepër pushtet dhe përfaqësim në parti, por dhe në Kuvend. Ashtu sikurse është vënë në dukje, që me zgjedhjen e tij President të Republikës dhe me largimin nga posti i nënkryetarit të PD-së, Bamir Topi ka humbur terren në selinë blu. Po kështu grupi i mbështetësve të tij është zvogëluar dhe në sallën e Kuvendit që pas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së vendit me marrëveshjen e Berishës dhe të Ramës. Ndryshimi i Kushtetutës e cila tashmë ka sanksionuar që zgjedhja e Presidentit të Republikës në raundin e pestë të votimit të zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash, kërkon që Presidenti të ketë mbështetjen e më shumë se gjysmës së deputetëve të Partisë Demokratike në mënyrë që të garantojë dhe një mandat të dytë në karrigen e kreut të shtetit.
Lufta për mbështetje
Pikërisht për të garantuar mbështetjen e deputetëve Topit i duhet të ketë mundësi të përcaktojë emra kandidatësh për deputetë në listën e Partisë Demokratike. Por, për të patur fuqi për të shënuar emra dhe për të ndarë zona, kryesisht të favorshme zgjedhore, atij i duhet një lobing i fuqishëm brenda partisë. Për këtë arsye, fushata zgjedhore që nis tashmë në PD, me zgjedhjen e kryetarëve të nëndegëve dhe më vonë kryetarëve të degëve të PD-së dhe ndoshta dhe me një ristrukturim të ri të kryesisë qëndrore dhe sekretariatit të partisë, është një mundësi e mirë dhe për ish-nënkryetarin, Topi, që të fitojë sa më shumë terren dhe mbështetje në radhët e drejtuesve të mëdhenj dhe të vegjël të PD-së.
Fushata
Zgjedhja e kryetarëve të degëve të PD-së këtë vit merr një rëndësi të veçantë për vetë faktin se ka ndryshuar sistemi zgjedhor dhe pritet që organizimi i PD-së të ndryshojë. Kështu, mësohet se në bazë të ndryshimeve kushtetuese do të ketë dhe ndryshime në statutin e PD-së. Burimet bëjnë të ditur për një riorganizim të partisë në rrethe, duke krijuar vetëm 12 degë partie në bazë të qarqeve, të cilat do të merren për bazë për krjimin e zonave elektorale. Në rast se do të krijohen vetëm 12 degë të PD-së, posti i kryetarit të degës së PD-së pritet të jetë shumë i fuqishëm, ndoshta me një fuqi të barabartë me prefektin ose dhe më shumë, pasi është post i mirëfilltë politik. Dihet që një nga detyrat kryesore të një kryetari dege është dhe sugjerimi i kandidatëve për deputetë dhe organizimi i fushatave zgjedhore, gjë që ndikon drejtëpërsëdrejti në zgjedhjen ose, jo të një kandidati për deputet. Ndaj pritet që gjatë kësaj fushate të ketë një luftë të ashpër politike në radhët e grupimeve të ndryshme brenda partisë. Secili prej të ashtuquajtuve “pasaradhës” të Berishës do të luftojë për të fituar sa më shumë mëbshtetje në radhët e të zgjedhurve të rinj.
Kuvendi
Megjithatë Kuvendi i ardhshëm i PD-së i cili pritet të zhvillohet në pranverë të vitit të ardhshëm do të jetë përcaktues jo vetëm për fitoren ose jo të PD-së në zgjedhje por dhe për rolin që do të ketë Topi, Topalli apo dhe të tjerë figura në këtë parti. Në statutin e PD-së është përcaktuar se Kuvendi Kombëtar i kësaj partie përveç zgjedhjes së kryetarit, miraton ndryshimet në statut si dhe vendos për riorganizimin e forumeve kryesore të partisë, siç janë postet e sekretarëve, pesha e të cilëve nuk është aspak e vogël.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›