E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Largimi i demokristianëve kompromenton rezultatin e zgjedhjeve



Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, shprehet kundër largimit të mundshëm të Partisë Demokristiane nga koalicioni i djathtë. Kreu i PR-së ka bërë të ditur se largimi i partive të djathta nga koalicioni kompromenton rezultatin e së djathtës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Një deklaratë e tillë e Mediut vjen në një moment kur Partia Demokristiane ka mbetur jashtë kabinetit qeveritar për shkak të futjes së PR-së në qeveri. Pra, në vend të kreut të PDK-së, Nard Ndoka, në postin e ministrit të Shëndetësisë, kryeministri Berisha ka emëruar vajzën e presidentit të nderit të Asamblesë Kombëtare të PR-së, Anila Godon. Me largimin nga kabineti qeveritar nuk është bërë i qartë ende pozicioni që do të mbajnë demokristianët. Megjithatë, deri tani, ata janë shprehur se janë në pritje të një reflektimi nga kryeministri Berisha për të riparë mundësinë e përfshirjes së tyre në qeverisje. Në rast se Berisha vendos të mos i japë asnjë post në qeveri demokristianëve, largimi i tyre nga koaliioni i djathtë është i pritshëm. Aleati tjetër i PD-së, Fatmir Mediu e shikon pozitive afrimin e Cekës në koalicionin e djathtë. Ai shprehet se afrimi i partive të tjera pranë koalicionit të djathtë ndikojnë pozitivisht në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Megjithatë ende nuk ka një informacion të saktë nëse Partia Aleanca Demokratike, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me PD-në. Ndërsa vetë republiaknët nuk mendojnë për një shkrirje të mundshme me PD-në, por mbështesin idenë e krijimit të një ferderate të djathtë. Krijimi i federatës, sipas tij, do të maksimalizojë votat e së djathtës, por partitë do të kenë mundësinë të ruajnë identitetin e tyre.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›