E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brace: Berisha po mashtron me perurimet



Nënkryetari i Grupit Parlamentare të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka akuzuar kryeministrin Berisha se me turin e tij të përurimeve në komunën Otallak të rrethit të Beratit, s’po bën gjë tjetër veçse po mashtron shqiptarët. Braçe, i cili është edhe deputet në këtë qark theksoi se Berisha po përuron disa investime, të cilat në të vërtetë kanë nisur qëkur në qeverisje ishin socialistët. “Kryeministri Berisha vijoi turin e tij politik në komunën e Otllakut, duke përuruar mes të tjerave dhe punë e vepra publike të nisura që në kohën e socialistëve, por që me ardhjen e tij në pushtet financimi për to u harrua për tre vite me radhë”, - tha Braçe. Deputeti socialist hodhi akuza se pas këtij përurimi fshihen qëllime korruptive, të cilat implikojnë kreun e komunës Otllak, Lefter Maliqi. “Ajo çka është më e rëndësishme, për qëllime elektorale e politike, por mbi të gjitha për qëllime korruptive, Sali Berisha e ka hequr këtë rrugë nga administrimi i qarkut, madje dhe nga komuna Lumas, nëpër të cilën ajo rrugë kalon dhe i ka dhënë atributet e Entit Rregullues kryetarit të komunës Otllak, një individ i treguar tashmë edhe nga institucione zyrtare si shkelës i rëndë i ligjit”, - tha Braçe.

24 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›