Meta në Shkodër: “Më 2009-n LSI-ja dhe opozita e vërtetë fitojnë zgjedhjet”
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim madhështor me qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Shkodrës. Në këtë takim me qytetarët shkodranë, u anëtarësuan 200 anëtarë të rinj në LSI, kartat për të cilët i shpërndau vetë kryetari i LSI-së, z. Meta. Duke marrë fjalën në mes të një entuziazmi mjaft të madh të qytetarëve shkodranë, lideri i LSI-së, Meta, u shpreh se Shkodra meriton më shumë zhvillim, investime dhe suksese në të gjitha fushat. Kreu i LSI-së u shpreh i sigurt për një fitore të thellë të LSI-së dhe të koalicionit të gjerë opozitar në zgjedhjet e vitit 2009 jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. “Unë besoj se i kemi të gjitha mundësitë që vitin e ardhshëm, jo vetëm si LSI-ja, por edhe si koalicion i gjerë dhe i vërtetë opozitar, të jemi kampionë në Shkodër në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në të gjithë Shqipërinë", - u shpreh Meta. Më tej kreu i LSI-së theksoi se vendi ka hedhur hapa mbrapa, si rezultat i keqqeverisjes, uzurpimit të institucioneve dhe shkatërrimit të demokracisë, pas ndryshimit të Kushtetutës. Por Meta theksoi se populli shqiptar do t’i japë një goditje të rëndë qëllimeve të mbrapshta të Sali Berishës, duke realizuar triumfin e referendumit. ”Për fat të keq, vendi ka hyrë në një rrugë të keqe, ka hyrë në rrugën e anashkalimit të vullnetit të popullit shqiptar, të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, ka hyrë në rrugën e uzurpimit të institucioneve dhe të shtetit nga një grusht njerëzish me në krye Sali Berishën, sepse më 21 prill u krye një nga aktet më të shëmtuara në historinë pluraliste të Shqipërisë. Brenda tri orësh u ndryshuan kolonat e Kushtetutës së vendit tonë, që ishte bërë me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare dhe pas një debati më shumë se një vit, brenda vendit dhe pas një votimi prej gati 1 milionë shqiptarë në vitin '98. E kanë vënë Sali Berishën mbi Parlamentin. Pra, nga një sistem i balancuar dhe demokratik, tani kemi kaluar në një sistem vertikal, ku në krye të këtij sistemi vertikal, ashtu siç ju e dini, qëndron Sali Berisha, i cili ka dhënë prova se ka dëshirë jo për të bërë shtet, por ta shkatërrojë shtetin, ashtu siç i vuri zjarrin shtetit në vitin '97”, - tha Meta, i cili e cilësoi Kushtetutën si reformën më të mirë që është bërë në vend. Kreu i LSI-së kritikoi mbështetjen që dha PS-ja për ndryshimin e Kushtetutës, duke e quajtur atë një gabim historik.
24 Maj 2008