E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Berisha të hetohet për trafik armësh”



Tiranë - Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se PS-ja inkurajon institucionin e Prokurorisë që të zgjerojë hapësirën e hetimit për të zbardhur të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit. Braçe tha se Prokuroria duhet të ketë në plan të parë të hetimit, kryeministrin Berisha dhe qeverisjen e tij. “Ne vazhdojmë të inkurajojmë Prokurorinë e Përgjithshme për të shpejtuar, thelluar dhe shtrirë hetimet në të gjithë elementët e krimit shtetëror me pasojë vrasjen e 25 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve në Gërdec, e krimit të dytë shtetëror të lidhur me të parin, me pasojë përfshirjen e qeverisë dhe kryeministrit Berisha në rrjetet më të zeza të trafikimit të armëve, municioneve në përfitime marramendëse financiare personale. Inkurajojmë Prokurorinë në hetimin e qeverisë së kryeministrit Berisha për përfshirjen në mashtrimin me origjinën e armëve dhe municioneve të shitura nga Shqipëria për llogari të qeverisë së SHBA-ve”, - tha Braçe.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›