E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania angazhohet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO



Berlini shpreh bindjen se Shqipëria dhe Kroacia do të marrin ftesën për anëtarësimin në NATO. Në Samitin e Bukureshtit është paraparë një seancë festive për pranimin e vendeve të Kartës së Adriatikut. Qarqet qeveritare në Berlin kanë bërë të ditur se tashmë është i sigurt anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë. Sipas tyre, Shqipëria, e cila e ka nënshkruar një “Plan-veprim për anëtarësim” tetë vjet më parë, e ka arritur pjekurinë e duhur për t’u ulur në tryezën e gjelbër të Aleancës, bën të ditur Berlini.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila niset sot pasdite për në kryeqytetin rumun, po përpiqet deri në minutën e fundit të mundësojë anëtarësimin e Maqedonisë. Siç e bëhet e ditur nga qarqet qeveritare, ajo po zhvillon telefonata me homologët e saj nga Athina dhe Shkupi, ku po u kërkon të dyja palëve që të arrijnë një kompromis. Mosanëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të dërgonte një sinjal të gabuar në rajon, vlerësojnë qarqe qeveritare. Ministri i Jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer dhe ministri i Mbrojtjes, Franz Josef Jung, do të shoqërojnë kancelaren Merkel në Samitin e Bukureshtit. Roli i Gjermanisë në zgjidhjen e problemit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO mbetet megjithatë brenda kornizës së përpjekjeve të diplomacisë ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen. Sipas qarqeve qeveritare në Berlin, rolin vendimtar pritet ta luajnë presidenti i SHBA-ve dhe sekretari i Përgjithshëm i NSTO-s.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›