E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: “Në terren 10 grupe pune për rivlerësimin e dëmeve”



TIRANË - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh të martën në Bashkinë Vorë se përsa u takon ankesave të familjarëve për masën e dëmshpërblimit për banesat, janë duke punuar në terren 10 grupe për rivlerësimin e dëmit. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme thuhet se ministri Nishani u informua nga kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili, se deri tani, për efekt të përfitimit të dëmshpërblimit financiar për familjet e dëmtuara janë çelur rreth 1700 numra llogarie në agjencitë e bankave që ekzistojnë në Vorë. Një proces tjetër për eliminimin e pasojave të shpërthimit në zonë është edhe akordimi i një ndihme financiare për punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec. Ndërkohë që vazhdon shpërndarja e ndihmave materiale e ushqimore për familjarët, të akorduara nga qeveria dhe donatorët e ndryshëm. Në një komunikim me median, ministri Nishani deklaroi se procesi i dëmshpërblimit të familjeve dhe ndarjes së ndihmave financiare e materiale për të dëmtuarit po zhvillohet me seriozitet, transparencë e angazhim të plotë nga të gjitha strukturat shtetërore. Ministri Nishani zhvilloi një takim edhe me banorët që ndodheshin pranë Bashkisë së Vorës, ku dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e tyre dhe iu përgjigj interesimit lidhur me mënyrën, masën dhe kohën e akordimit të ndihmave financiare e materiale nga qeveria. Banorët e pranishëm pohuan edhe njëherë se janë dakord me masën e dëmshpërblimit të përcaktuar nga komisionet e vlerësimit.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›