E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: “Ftesa për në NATO, moment historik për Shqipërinë”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e ka cilësuar moment historik për vendin, procesin e marrjes së ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, gjë që pritet të ndodhë gjatë zhvillimit të Samitit të Bukureshtit. Meta se ftesa e anëtarësimit është një meritë e të gjithë popullit shqiptar, që gjithmonë ka shprehur dëshirën për t’u integruar në NATO. “Vendi ndodhet përpara një momenti historik, marrjes së ftesës për në NATO, në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Kjo ftesë është produkt i përkushtimit të popullit shqiptar ndaj vlerave që qëndrojnë në themel të Aleancës së Atlantikut Verior, paqes, sigurisë, tolerancës, bashkëjetesës mes popujve. Ftesa vjen edhe si konkretizim i strategjisë së vetë Aleancës për të shtuar radhët e saj me vende që gjenerojnë siguri e që kontribuojnë për paqen si në rajonin e trazuar të Ballkanit, ashtu edhe më gjerë”,tha Meta. Ish-kryeministri vlerësoi angazhimin e Shqipërisë përkrah NATO-s në momentet më decizive dhe historike.
“Populli shqiptar ka treguar në vazhdimësi një besnikëri të patundur ndaj Aleancës së NATO-s dhe ka qenë në krah të saj në momentet më të rëndësishme në historinë moderne. Shqiptarët vepruan me vetëmohim dhe treguan një vendosmëri të qartë ndaj NATO-s dhe aksionit të saj ushtarak e humanitar gjatë luftës së vitit 1999 në ish-Jugosllavi. Ndërsa më parë, maxhoranca e atëhershme e majtë kishte mbështetur Marrëveshjen e Rambujesë, një moment kyç i vendimmarrjes ndërkombëtare për pavarësimin e Kosovës. Po kështu, Shqipëria tregoi një konstruktivitet e jashtëzakonshëm gjatë krizës në Maqedoni në vitin 2001, ku u pozicionua si një faktor përcaktues i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ajo ishte ndër të parat që u rreshtua në koalicionin botëror kundër terrorizmit, duke dhënë një kontribut edhe më të madh se sa mundësitë e veta, me pjesëmarrjen e saj në misionet paqeruajtëse në Bosnjë, Afganistan e Irak”, - tha Meta.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›