Ish-të përndjekurit: ”Premtimi për letrat me vlerë, demagogji”
Ish-të përndjekurit shqiptarë shprehen skeptikë në lidhje me pretimin e vjetër se do të vlerësohen dhe do të njihen letrat me vlerë. Besim Ndërgjoni, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës të ish-të Përndjekurve Politikë, shprehet për gazetën se ish-të përndjekurit nuk kanë besim se kjo çështje ka për t’u zgjidhur. “Deri tani nuk na kanë thirrur se çfarë duhet bërë në lidhje me letrat me vlerë apo si do të njihen. Mos harroni se shumica e ish-të përndjekurve ka humbur letrat me vlerë në ish-kompaninë fantazmë “Anglo-Adriatica”. Mendoj se është thjesht një demagogji”, - tha Ndërgjoni. Gjatë një prezantimi të formulës së privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në KESH, ministri i Ekonomisë, Ruli, konfirmoi se pjesa e aksioneve shtetërore do të ndahet mes ish-pronarëve dhe personave që kanë letra me vlerë apo bono privatizimi në këto ndërmarrje. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ndodhej në Komisionin e Ligjeve për të diskutuar në lidhje me formulën e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, konkretisht për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në KESH. Paketa e aksioneve të kapitalit të mbetur të OST u afrohen ish-subjekteve të shpronësuara të truallit dhe të ndërtesave, mbi të cilat janë ndërtuar objektet e OSSH-së, të punonjësve të OSSH-së, të cilët kanë qenë të punësuar që nga viti 1992 dhe duhet të kenë jo më pak se 5 vjet punë etj.
2 Prill 2008