“International Herald Tribune”: ”Maqedonia, fundlojë e rrezikshme”
E përditshmja “International Herald Tribune”, nëpërmjet shkrimit të saj, shprehet se nëse Maqedonia nuk do të hynte në NATO, më pas do të vinte një krizë politike. “Dështimi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO mund të hapë një krizë politike. Ky do jetë edhe dështim për diplomacinë amerikane, OKB-në dhe BE-në. Nëse Greqia vazhdon me kërcënimin me veto, duhet t’i bëhet e qartë Athinës se do të paguajë një çmim të lartë politik”, - shkruan “International Herald Tribune”. Dështimi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO mund të hapë një krizë politike, që do të vërë në pikëpyetje marrëveshjen paqësore të vitit 2001. Një krizë e tillë do të ndihej edhe në Kosovë, në kohën kur pavarësia e saj po kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia. Qeveria greke jo vetëm që ka kërkuar ndryshimin e emrit, por është përpjekur të diktojë edhe vetë emrin. Edhe Maqedonia, nga ana e saj, ka bërë gjithçka për të provokuar Greqinë duke zgjedhur simbole dhe emërtime kundërthënëse. Ndonëse Greqia dhe Maqedonia po sillen në mënyrë joracionale, sipas gazetës, shqetësimet e tyre nuk janë të tilla. Problemi nuk është të zgjidhim se kush ka më shumë a më pak të drejtë. Ajo që ka rëndësi është se mosmarrëveshja për emrin po paraqitet si pengesë në qendër të interesave amerikane dhe europiane në rajon. Aleatët duhet të përdorin orët e mbetura për të arritur një marrëveshje shprehet autori i shkrimit. Londra, Berlini dhe Parisi duhet t'i bashkëngjiten Uashingtonit dhe të dërgojnë mesazhin urgjent si për Athinën dhe Shkupin, që të pranojnë emrin e kompromisit, Republika e Maqedonisë/Shkupi ose ato do të jenë fajtore. Pa një pozicion të bashkuar të bashkësisë ndërkombëtare, përfundimi do jetë mungesa e një zgjidhjeje. Aleatët duhet t’ia bëjnë të qartë Athinës se mbrojtja e trashëgimisë greke duke penguar hyrjen në NATO të fqinjit të saj, është fitore si e Pirros. Nëse Greqia vazhdon të ecë në rrugën e përdorimit të vetos, atëherë vendet anëtare të NATO-s, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, duhet t'ia bëjnë të qartë Athinës se Greqia do të paguajë një çmim të lartë politik. Dështimi për të anëtarësuar Maqedoninë në NATO tani do jetë edhe dështim për diplomacinë amerikane, ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe diplomacinë europiane, që do të paguajë çmimin në vitet që vijnë, përfundon “International Herald Tribune”.
2 Prill 2008