E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identiteti ynë dhe kartat e tij

I futur në radhën e bashkëkombësve që aplikonin për të marrë kartën e identitetit, duke qenë se ajo ishte e gjatë dhe të duhej fort durim, mendova se mund të mos e lija atë kohë të më ikte kot. Nuk është se radha shqiptare është radhë dhe kaq. Ajo është festival i tërë, galeri personazhesh, spektakël i rrallë. Më lehtë se kudo në radhë, ne mund t‘i rrëfejmë apo vetëzbulojmë tiparet e identitetit tonë në çdo orë të ditës e të natës, në çfarëdo vendi dhe kohe, sepse jemi një popull shprehës, flasim me këmbë e me duar, pa fshehur dhe pa mbajtur ndonjë gjë për vete.

Kemi edhe talentin tjetër: flasim me zë të lartë. Aq gjëmimtar e kemi zërin dhe aq bëmës të mëdhenj jemi, saqë edhe një bisedë vesh më vesh, një tjetër mund të na e ndjejë disa metra larg. Kështu për t‘i njohur nisa të shkëmbej ndonjë mendim me ata që rrinin në radhë, madje për ca kohë më kapi fantazia e agjitatorit të shtetit dhe u fola për atë ngjarje të bukur që po përjetonim. Në të vërtetë, pajisjen më në fund me një kartë identiteti të pasdiktaturës, pra të pluralizmit e quaj gëzim dhe ditë të veçantë. Kështu që me të marrë kuponin, shkova te zyra e gjendjes civile. Nuk më duhej me aq ngut, sepse për zgjedhjet kam pasaportën, por shkova për të kryer detyrimin e një qytetari. Nuk dua të kujtoj këtu Vladimir Majakovskin, i cili ka një tufë të madhe me vargje për pasaportën sovjetike, sepse do të keqkuptohem për ndonjë simpati të perënduar për kohë të lënë pas shpine.

E citoj atë poet dramatik që përfundoi në përplasje me sistemin, të cilit i gëzonte pasaportën për të thënë se karta jonë e identitetit është në lartësinë e një ngjarjeje për t‘u spikatur. Me këtë kartë me të cilën po pajisemi, ne kemi shenjën e vendit tonë me shoqëri të hapur e që kërkon të hyjë sa më shpejt në përmasat e standardeve të Bashkimit Evropian. Do të qe naive të thuaje se ajo e meritonte një varg poezie, por jo të gjithë e dinë se ajo që po ndodh nuk është një pjesë rutine e jetës sonë të përditshme. Që të hyjmë në BE, për shumë gjëra jemi akoma prapa, por ajo kartë identiteti është shumë më përpara. Është njëlloj, madje më e përparuar nga ato që ende kanë italianët, grekët, francezët apo spanjollët. Pra kjo kartë simbolikisht është më e përparuar se ne. Do ta ndjejnë këtë gjë më të parët bashkëkombësit tanë emigrantë, kur do t‘u duhet t‘ia tregojnë një polici të huaj apo një punëdhënësi.

Mes nesh që jetojmë në Shqipëri, për fat të keq, më tepër është përhapur ideja se janë karta që duhen për zgjedhjet. Nga një orë e gjysmë radhë në një korridor ku të merrej fryma dhe të avitej të fikëtit, kuptova se të gjithë ata të rreshtuar qenë qytetarë të mirë. Pothuaj nuk kishin ndonjë urgjencë. Një ditë më parë, edhe administrata shtetërore i kishte hequr të gjitha kufijtë e shtrëngimit për t‘i nxitur të shkonin për aplikim. Pra fare lehtë mund të vinin aty kur të qenë në pritje dy apo tre vetë. Pra edhe pas një gjysmë viti. Kjo më bëri të mendoj se që të afrojmë identitetin tonë real me ato karta identiteti, na duhet të jemi syçelët për një problem që mund me të vërtetë të na shfaqet. Siç thonë, por edhe të gjithë ne të tillë njohim, kemi një turmë të madhe bashkëkombësish që siç zënë truall të të tjerëve e ngrenë shtëpi ku të mundin, nuk kanë sahate elektrikë dhe e vënë tiganin për vezë të skuqura në furnela me tel të trashë sa gishti, që në oborret e tyre mbajnë lopë dhe i nxjerrin pasditeve të kullosin deri edhe në anë të bulevardit të buzë Lanës, këta nuk janë të pajisur as me pasaporta.

Kështu që ata do të veprojnë e sillen po njëlloj tani që shumica po rrinë në radhë të pajisen me kartat e identitetit. Mirëpo më 28 qershor, edhe këta që nuk kanë në strehët e tyre asnjë shenjë se kujt shteti i përkasin, cilit qytet e cilës lagjeje, kujt rruge dhe derën e shtëpisë e kanë pa numër, do të duhet të votojnë. Sepse nuk është e thënë aspak që janë prej abstenuesve të politikës. Këta të fundit vijnë nga radhët e kultura qytetare. Këta nuk votojnë se duhet të shprehin një qëndrim, por jo se nuk kanë pasaporta. Janë bashkëkombësit pa asnjë shenjë të shkruar identiteti, pra ata që ende nuk janë shkëputur plotësisht nga jeta në natyrë, afër pyllit e lumit, që kokën mund ta kenë më të pasionuar për të brohoritur për parti dhe nuk është e thënë kurrë të jenë vetëm të një krahu. Ata nuk kanë pluralizmin e të kuptuarit se jetojnë në një shtet, por të thekjes pas mitingut që mund ta kenë në përmasa më të larta se ajo pjesë e madhe qytetare që di ta përmbajë e ta shprehë sipas rregullave.

Këta të urtë që këto ditë po rrinë në radhët e gjata duan më parë kartën e identitetit e pastaj votën. Këta kësaj radhe është rasti më i duhur, por edhe më jetiku, të nxiten e të shtrëngohen të shkojnë për të aplikuar kartat moderne të identitetit. Medoemos. Është një kauzë bipartizan, çështje kombëtare. I gjejnë specialistët e politikës apo administrimit publik se si do t‘i çojnë këto grupe pa shenja të shkruara nacionale deri te radha ku po rrinë qytetarët. Për identitetin tonë dhe ngjarjen e bukur të marrjes së kësaj dëshmie proevropiane nuk do të qe e merituar që kjo masë bashkëkombësish të mbeten për zgjedhjet e ardhshme një "plumb dum-dum". Ato nuk duhet të na i vrasin kush, as ne vetë, shtetasit e Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›