E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Topalli ka thyer rregulloren

Grupi parlamentar i PD-së kërkon sqarime për përplasjen Topalli-Biberaj. Deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, bëri me dije për "Shqip" se ditën e hënë do të kërkojë detaje mbi vendimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli mbi shkarkimin nga posti i zëvendëspresidentit të Asamblesë së KE-së, të deputetit që përfaqëson Partinë Demokratike në Tropojë, Aleksandër Biberajn. Qëndrimi i Mustafajt do të bëhet i njohur në mbledhjen e grupit parlamentar, ku mësohet se një pjesë e konsiderueshme e demokratëve do të kërkojnë informacione se pse vendimi nuk është bërë publik te grupi parlamentar i PD-së. "Jam i informuar nga media për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt nga posti i zëvendëspresidentit të Asamblesë së Këshillit të Evropës", tha Mustafaj.

Përplasja midis kryeparlamentares Topalli dhe deputetit të PD-së, Biberaj, pritet të sjellë debate të ashpra në mbledhjen e grupit parlamentar. "Do ta ngre këtë çështje për diskutim në mbledhjen e grupit të PD-së, ku janë të pranishëm deputetët, nënkryetarët dhe kryetari i Partisë", sqaroi Mustafaj. Ish-shefi i diplomacisë bëri të ditur se, nëpërmjet dërgimit të letrës për shkarkimin e Biberajt nga pozicioni i tij në KE, Kryetarja e Kuvendit shkeli rregulloren, duke mos pyetur asnjë strukturë për vendimin e saj, madje as grupin parlamentar. Pas largimit të deputetit të Shkodrës, Gilman Bakalli, për shkak të konflikteve brenda partisë me Topallin, një tjetër përplasje mes deputetëve të Veriut tregon se personazhi i radhës, i cili rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në legjislaturën e ardhshme, është deputeti i Tropojës, Aleksandër Biberaj. Përpilimi i listave për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duket se po sjell agresivitet brenda Partisë Demokratike për zonën e Veriut, e cila njihet ndryshe si bastion i së djathtës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›