E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, tok me vendin, jane ne rrezik

Ndërsa po bie kambana e zgjedhjeve parlamentare, politika shqiptare po bën atë që ka ditur të bëjë përherë në prag zgjedhjesh në harkun e tetëmbëdhjetë viteve të fundit: të bëjë diskutime pa bukë mbi listat e zgjedhësve, mbi emrat e këtyre të fundit që fanepsen dy herë në regjistrin kombëtar, mbi hartimin elektronik të regjistrit vetë, mbi kartat e identitetit, mbi komisionet zgjedhore në qendër e në bazë, mbi Kolegjin Zgjedhor, e mbi procedura të tjera në funksion të mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Keni pasur katër vjet në dispozicion, keni pasur premtimin e Kryeministrit aktual përpara se të bëhet (e menjëherë pasi u bë) Kryeministër, keni pasur "ngenë" opozitare për t‘u marrë në mënyrë të posaçme me këtë çështje, keni pasur presionin e mbështetjen e nevojshme të opinionit publik lidhur me këtë gjë, keni pasur në pjesën më të madhe të kohës dhe mbështetjen e mirëkuptimin e diplomatëve të huaj në Tiranë, e të gjitha këto do të kishin mjaftuar që të hynim në fushatën elektorale të pritshme me një strukturë e infrastrukturë të kopsitur elektorale. Por jo, s‘qenka e thënë. Katër muaj përpara zgjedhjeve, ne jemi duke zhvilluar diatribën parazgjedhore, e cila nuk bën gjë tjetër, veçse i merr kohë kohës që shtrëngon. Dhe kur dara e kohës shtrëngon, vetë koha nuk është aleat i opozitës suaj e opozitës sonë; përkundrazi, është aleat i mjeshtrit të madh. Cili është mjeshtri i madh? E kush tjetër? Ai që e vonoi, dhe e vonoi, dhe e vonoi pa fund këtë proces për të ardhur në këtë moment, kur koha shtrëngon e kur të gjithë ne, ndërsa kërkojmë kohë për të bërë gjërat e mbetura pa bërë, zbulojmë se dhe ajo na vidhet prej Sali Berishës. Ky është mjeshtri, pra.

Deri më tani, ju keni ndjekur lojën e tij dhe anasjelltas, ai ka ndjekur lojën tuaj. Sigurisht, Berisha ka marrë përfitimet e veta, siç janë neni për ndryshimin e Kushtetutës që redukton fuqinë e kryetarit të shtetit në të mirë të kryetarit të qeverisë, Kodi Elektoral, ligji mbi dosjet, etj., etj., por ju e keni pasur justifikimin të hazërtë. "Pikërisht aty ku ai ka përfituar, kam përfituar dhe unë, në mos ca më shumë se sa ai" - thoni ju. E bën vaki të keni të drejtë (po injoroj në këtë mes faktin që, gjithë këto ndërhyrje të forta të maskuara e të shitura për reforma, janë bërë larg syve të opinionit publik e pa asnjë debat politik; po bëj një analizë amorale të lojës suaj). Por për çfarë ju lipsen këto "fitore"? Sigurisht, ju lipsen veç nëse vini në pushtet. Hm, dhe ja ku jemi, ku puna nuk është se hesapet i keni bërë pa hanxhiun (përkundrazi, veç me hanxhiun i keni bërë), por ku hanxhiu, në mos jua ka hedhur, me siguri do t‘jua hedhë. Po e teproj e po ia fus kuturú? Ah, sa i lumtur do të isha po ta teproja e po t‘ia fusja kuturú! Por faktet flasin ndryshe.

Sali Berisha po futet në zgjedhje ose me institucione të vetat, ose me institucione të trembura e të zbythura. Po flitet që një numër anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese po bëhen gati të japin dorëheqjen, përpara se ligji i miratuar për t‘i penalizuar ata të publikohet në Fletoren Zyrtare. Sulmi ndaj tyre ka filluar, dhe në ditët në vijim do të përshkallëzohet. Për pasojë, anëtarët "e sëmurë" të kësaj gjykate, kush prej frikës, kush prej turpit të dosjes, kush prej ndonjë premtimi në këmbim të dorëheqjes, e kush prej militantizmit politik, do të largohen një e nga një. E përse duhet të rezistojnë në fund të fundit? Ai nuk di të ndalet përpara asgjëje dhe në këtë kuptim - besojnë ata - në mos me hir, ka për t‘i hequr me pahir. Ja, me Gjykatën e Lartë u bë ç‘deshi ai, e për këtë arsye nuk është mëkat të mendohet se kjo gjykatë, edhe po të mos jetë në duart e tij, është e terrorizuar prej tij. Andej nga Prokuroria u hoq një gur themeli, e pritet të hiqen gurë të tjerë. Andej nga Gjykatat e Shkallës së Parë e të Dytë punët ecin vetë, bash ashtu si do Saliu: Në mënyrën më tekanjoze, shorti i hedh patatet e nxehta, d.m.th çështjet penale që kanë të bëjnë o me familjarë të Berishës, o me bashkëpunëtorë e sekserë të tij, në duar gjyqtarësh me back-ground të qartë politik (nuk më shkon mendja të paragjykoj vendimet e marra. Thjesht po bëj një konstatim); por edhe sikur të kishin një back-ground tjetër, do t‘u dridheshin leqet e këmbëve në këtë klimë kontrolli e presioni mbi institucionet. Pikërisht në këtë klimë, madje edhe në një klimë më të frikshme akoma, do të punojë edhe Kolegji Zgjedhor i sapozgjedhur. Kjo është e para gjë. Dhe kësaj gjëje, ju nuk keni ç‘t‘i bëni, zoti Rama. Tanimë është vonë, tepër vonë. Por edhe po të mos ishte vonë, ju prapëseprapë nuk do të bënit ndonjë gjë të madhe. Kam përshtypjen, se nuk është në stilin e në fuqinë tuaj t‘u jepni zemër apo t‘u shtini frikën institucioneve, që nuk kanë të bëjnë me ju. E për këtë, nuk ju bëj me faj. Por ju bëj me faj amá, që e latë Sali Berishën të arrinte deri këtu, sa t‘u kallte datën të gjithëve. E ka rrezik të vijë momenti të na kallë datën edhe juve, edhe mua.

E dyta gjë: Ai ka në dorë krejt policinë. Dhe kjo që them nuk është metaforë. Është fakt. Arma e policisë është një armë besnike e Saliut. Herë pas here ka bërë një numër rokadash (kështu i quajnë gazetarët e kronikës së zezë) në zinxhirin e komandave të Ministrisë së Rendit e të Policisë së Shtetit, dhe qëllimi asnjëherë nuk ka qenë përmirësimi i rendit publik; përkundrazi, ka qenë krijimi i një establishment-i policor të mbushur me njerëz që i ngjajnë shefit të tyre mustaqelli e që frymëzohen prej shefit të tyre të madh pa mustaqe. Frymëzohen për çfarë? Për të qenë gardianë të ligjit e të rendit? Jo, zotëri! Për të qenë ose vjedhës votash, ose gardianë të vjedhjes së votave. Dihet pra se ç‘rol mund të luajnë këta njerëz me uniformë para, gjatë e pas procesit zgjedhor, në mënyrë që ky i fundit të prodhojë atë rezultat që do Kryeministri. Përveç kësaj, kjo lloj policie mund të shërbejë edhe si mbrojtëse apo motivuese e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin. Unë personalisht ndihem i pambrojtur në këto rrethana. Qysh sot ndihem i pambrojtur. Djegia e makinës së Mero Bazes më ka ligështuar sa s‘ka ku të shkojë (e keni vënë re që Kryeministri ngushëlloi ditët e fundit familjen e një gazetareje jo shumë të njohur për publikun, ngaqë kjo e fundit humbi jetën për shkaqe që s‘kanë të bëjnë me profesionin - dhe mirë bëri! - por nuk tha asnjë fjalë kur Mero Bazes ia bënë makinën shkrumb e hi?). Përfytyroni pak se si mund të ndihen në këto rrethana mijëra të tjerë, të cilët, në ndryshim nga unë e nga Mero, nuk kanë "famë e emër" që mund t‘i mbrojë sadopak.

E treta: Kjo loja me kartat e identitetit fsheh gjëra rrezikzeza në dëm të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Tanimë nuk ka më kohë për ta kontrolluar procesin e prodhimit e të shpërndarjes së këtyre kartave. E vetmja gjë për t‘u bërë është të bëhet ç‘është e mundur për të minimizuar dëmin. Dhe mund të fillohet me një gjë shumë të thjeshtë, zoti Rama: Bashkëpunimi me Berishën për çështje jo elektorale është një pesë me hiç. Nuk kam fuqi të kuptoj gatishmërinë tuaj për të ndjekur edhe sot e kësaj dite mazhorancën në ca lëvizje lunatike e surreale, siç është ajo e gjoja aplikimit për statusin e kandidatit për në BE. Një lëvizje, që po të bëhej para disa muajsh, d.m.th kur e kërkuat ju vetë, nuk do të ishte dobare e paragjykuar, por e bërë pikërisht tani të ngjan me një lëvizje kot më kot, që ndërmerret sa për të krijuar një zhurmë e sa për t‘i bërë berishianët të rrahin gjoksin për "arritjen" (ç‘arritje zeza!). Ju e mbështetët, megjithatë. Në vendin tuaj, pa pasur asnjë frikë prej akuzës si sabotator i procesit të anëtarësimit në BE, unë do t‘i thosha Berishës këto fjalë: "Kam qenë gjithë kohën konstruktiv. E kam bërë këtë, edhe pse e kam ditur se përballë ju kisha juve, dinak, mujshar e destruktiv. E kam bërë gjithçka në emër të stabilitetit politik në këtë vend, në emër të krijimit të një imazhi të mirë kombëtar në sy të komunitetit ndërkombëtar, në emër të mbjelljes së një kulture të re opozitare dhe në emër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Nuk jam penduar që jam sjellë kështu, s‘ka gjë se nuk ia dola mbanë deri në fund. Por tani është koha për t‘ju thënë "mjaft". Jemi katër muaj para zgjedhjeve, e kjo punë nuk ka asnjë kuptim. Ǒishte për t‘u bërë është bërë. Reformat, ashtu si dhe punë të tjera të rëndësishme (fjala vjen, aplikimi në BE) nuk i përkasin më kësaj mazhorance; ato na përkasin neve të pakicës, që pas disa muajsh do të jemi shumicë".

E dini se ç‘gjë tjetër t‘ju sugjeroja? Pasi të bënit gati një listë me kushte ndaj qeverisë në funksion të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, nuk do ishte keq t‘i drejtoheshit qeraxhiut në pallatin kryeministror: "Zoti Kryeministër! Këto nuk janë teka, këto janë kushte në funksion të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, të cilat garantojnë barazinë në një garë të rregullt e të ndershme, e të cilat do të na afrojnë me BE-së shumë më tepër e shumë më shpejt se sa aplikimet fantomatike. Nëse nuk i plotësoni këto kushte, jeni i lirë të futeni në zgjedhje i vetëm".

Zoti Rama! Sa më sipër po t‘i thotë që qytetar i shqetësuar i këtij vendi, një qytetar që ca rrethanat, ca një besim naiv në magjinë e ndryshimit e ca një shpresë hutaqe se punët do të venë pakëz më ndryshe "nën hyqmin e Edi Ramës", e kanë hedhur në krahun tuaj në këto kohë të vështira. Duhet të bëjmë çmos të gjithë së bashku për ta ndalur vjedhjen e votave, rrjedhimisht vjedhjen e pushtetit. Por nga ana tjetër, kam frikë se po rrëshqasim ose drejt trazirave, ose drejt legjitimimit të pafund të pushtetit të një familjeje mafioze (e tillë është familja Berisha). Ja, më thoni ju, a mos vallë është një panik i kotë? A mos vallë jam hipokondriak? Më jepni pak shpresë, ju lutem!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›