Meta: “Zbardhja e Gërdecit, nuk mjafton vetëm imuniteti i Mediut”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, insiston se për hetimin dhe të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit nuk mjafton vetëm heqja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas Metës, nuk mund të ketë një hetim të plotë dhe të suksesshëm në rast se kryeministri Berisha nuk do të japë dorëheqjen dhe nuk do të dorëzojë imunitetin e tij. “Jemi shumë të zhgënjyer sepse nuk po hetohet Gërdeci, nuk po hetohet një krim për të cilin duhen mbajtur përgjegjësi në të gjitha nivelet. Dhe Gërdeci është një krim shtetëror që duhet të zbardhet deri në fund, dhe që nuk mundet të zbardhet vetëm me imunitetin e Mediut. Gërdeci në radhë të parë kërkon imunitetin e vetë Berishës, sepse në rast se nuk zbardhet dhe nuk mbahet përgjegjësi për një krim të cilin e ka parë e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota”, - u shpreh Meta gjatë një takimi të zhvilluar me gratë dhe vajzat, anëtare dhe simpatizantë të LSI-së në Zonën Nr. 1 në Tiranë. Meta akuzoi qeverisjen e kryeministrit Berisha se për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së saj ka shkaktuar varfëri dhe mjerim në të gjithë Shqipërinë.
“Gratë dhe nënat po jetojnë në mënyrën më të dhimbshme varfërinë që po rritet. Po jetojnë fukarallëkun që po shtohet dita-ditës. Po jetojmë atë pabarazi sociale që shton çdo ditë qeveria e Berishës”, - tha kreu i LSI-së, i cili kritikoi politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria. “Sali Berisha thotë se nuk ndërhynë në treg për punën e çmimeve, për të stabilizuar çmimet dhe për t’i ulur ato, por kur i duhet Sali Berishës që të rrisë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, ndërhyn dhe i thotë privatit do t’i caktosh kaq pagat e punëtorëve dhe të punonjësve, aty ku preken monopolet e korrupsionit qeveritar. Nuk ndërhyn ai për të ulur çmimet për produktet më jetike, që nga ato ushqimore dhe industriale e deri te karburantet. Sepse janë rritur çmimet edhe në vendet e tjera, por në Shqipëri janë rritur 40% më shumë sesa në Kosovë edhe Maqedoni, kur Shqipëria ka dhe portet dhe detin. Dhe kjo ndodh për shkak të këtij korrupsioni”, - deklaroi kryetari i LSI-së.
21 Qershor 2008