Braçe: Braktisja ishte fyerje për kombin
17/02/2005 Mospjesëmarja në seancën plenare e dy ditëve më parë, nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike është cilësuar nga deputeti socialist, Erion Braçe, "precedent i vetëm gjatë 15 viteve të fundit në jetën e parlamentit shqiptar". Sipas Braçes, bojkoti që demokratët i bënë seancës, ku ishte i ftuar Kryeministri i Turqisë, Rexhep Erdogan, "nuk është një fyerje për Kuvendin tonë dhe qeverinë shqiptare, por është një fyerje për 5 milionë shqiptarë që jetojnë në Turqi dhe për 3 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri. Nuk është traditë e shqiptarit mosrespektimi i mikut". Braçe ka theksuar se veprimi i deputetëve të PD-së është në vazhdën e traditës që ka ndjekur kryetari i kësaj partie, ku gjatë vitit 1996, kryetari i PD-së nuk ka mikprituar përfaqësuesit nga SHBA-ja në Shqipëri, por i ka lënë të presin në Shkup të Maqedonisë.