E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet marrin në dorëzim draftin për median e lirë

17/02/2005  Deputetët do të vendosin javën e ardhshme mbi të drejtat e gazetarëve dhe botuesve

Komisioni parlamentar i Ligjeve do të diskutojë këtë javë mbi draftin përfundimtar të Ligjit mbi shtypin në Shqipëri. Burimet kanë të ditur se, pas rishikimit të amendamenteve të miratuara një javë më parë, deputetët do të votojnë për miratimin në tërësi të tij. Në këtë projektligj është përcaktuar që gazetat e shitura nën koston e prodhimit nuk do të kenë të drejtën e publikimit të reklamave shtetërore. Ky është cilësuar si penalizimi për mediat, të cilat nuk do të respektojnë rregullat e tregut. Për të shmangur procedurat e tejzgjaturave, Komisioni i Ligjeve ka vendosur që të jenë vetë gazetat, që do të deklarojnë koston e tyre. Kjo me anë të publikimit të bilanceve në faqet e gazetave, apo në ekranet televizive. Megjithatë, debati pritet të jetë më i ashpër në lidhje me përjashtimin e pronarëve të mediave nga e drejta e pjesëmarrjes në tenderat publike. Kjo është cilësuar shkelje, pasi askush nuk mund të përjashtohet nga një konkurrim i hapur. Megjithatë, disa deputetë janë shprehur se pronarët e mediave përdorin gazetarët për t'i bërë presion pushtetarëve, duke e fituar në mënyrë të padrejtë një tender. Ndaj, rruga më e mirë është parë përjashtimi i tyre nga tenderat. Ndërsa vetë pronarët e mediave janë shprehur se një funksionar shteti nuk ka pse të trembet nga mediat, në rast se ai nuk është i përfshirë në afera të pista. Ndaj dhe ky vendim nuk është i pranueshëm. Gjithsesi, debatit do t'i jepet fund vetëm pas diskutimeve në Komisionin e Ligjeve dhe pas votimit në seancën plenare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›