Pranga bandës, grabiste makina për pjesë këmbimi
Një operacion blic i policisë së Tiranës dhe policisë së Shkodrës ka vendosur në pranga dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për akuzën e vjedhjes së automjeteve luksoze në Tiranë, të cilat më pas çmontoheshin dhe shiteshin për vegla këmbimi. Në aksion kanë marrë pjesë Komisariatet 1 dhe 4 të Policisë së Tiranës, Zyra e Vjedhjeve të Automjeteve dhe Komisariatit të Policisë së Shkodrës. Burimet zyrtare nga policia thanë se të arrestuarit janë Gëzim Vangjushi dhe Mariglen Aliko, ndërsa është shpallur në kërkim Arben Lico. Arrestimet janë kryer gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë dhe në Shkodër pothuajse në të njëjtën kohë. Hetimi për këtë çështje filloi me denoncimet për vjedhjen e disa automjeteve në kryeqytet. Policia e Tiranës filloi hetimet për gjetjen e automjeteve, ndërkohë që u arrit të zbulohej se makinat e vjedhura në Tiranë dërgoheshin në Shkodër, ku çmontoheshin dhe më pas shiteshin në tregun e zi për pjesë këmbimi. d.b