E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e hapur për komunitetin shqiptaro-amerikan

Fron Nahzi* 

New York. Zgjedhjet aktuale për President në SHBA janë një nga ngjarjet më të rëndësishme politike në historinë e Amerikës Në fillim u nisa ta shkruaj këtë letër me dy qëllime: t’i bëja thirrje komunitetit tonë që të dalë në votime dhe të ofroja informacion lidhur me qëndrimet e të dy kandidatëve për President mbi katër çështje që ndikojnë më së shumti në jetën e shqiptaro-amerikanëve. Këto çështje janë emigracioni, ekonomia, shëndetësia dhe taksat. Por, ndërsa fillova t’i diskutoj këto çështje me disa anëtarë të komunitetit tonë, vura re se kishte më shumë nevojë të merresha me një çështje tjetër. Si dhe shumë njerëz të tjerë, u trishtova kur mësova se në komunitetin tonë ka raste kur zgjedhjet bëhen mbi bazën e një qëndrimi racist dhe mbi thashetheme që nxisin paranojat me bazë fetare.
Një gjë është e sigurt: pavarësisht se cili kandidat fiton, këto zgjedhje do të jenë një gur kilometrik në historinë e vendit tonë. Fatkeqësisht, ky gur kilometrik mund të vendoset për shkak të ngjyrës së lëkurës apo të gjinisë së një kandidati. Unë besoj se këtij lloji guri kilometrik i ka ikur koha. Do të ishte fatkeqësi sikur ky moment i rëndësishëm historik të shoqërohej me shëmtimin e racizmit apo me paranojën fetare, qoftë edhe në një shkallë të ulët, brenda komunitetit tonë, i cili ka qenë dhe është i larmishëm, tolerant dhe mirëdashës. Diku gjatë kësaj fushate elektorale disa anëtarë të komunitetit tonë iu kanë fryrë flakëve të urrejtjes dhe intolerancës, të cilat mund ta burojnë vetëm nga kombinimi i mungesës së informacionit dhe mungesës së vizionit politik.
Ne shqiptarët kemi pasur përvoja të këqija për shkak të paragjykimeve për ne në Europë. Nga përvoja personale ne e dimë se ç’do të thotë të të vlerësojnë për shkak të aftësive apo të të paragjykojnë për shkak të ngjyrës së lëkurës, nacionalitetit ose besimit fetar. Duke shpresuar se do t’i shuajmë këto flakë të intolerancës, të cilat hedhin një hije të papëlqyeshme mbi komunitetin tonë, unë kam besimin se ju do të bashkoheni me mua dhe të tjerë si unë në komunitetin tonë për të diskutuar dhe për të zgjedhur ose senatorin Obama, ose senatorin McCain mbi bazën e meritave të tyre dhe të politikave që ata propozojnë, të atyre politikave që do t’i shërbejnë më mirë interesave të shqiptaro-amerikanëve.
Dëshiroj t’ju informoj se unë përkrah senatorin Barack Obama dhe senatorin Joe Biden për President dhe zëvendëspresident dhe jam bashkuar me ata shqiptaro-amerikanë që përkrahin këta dy politikanë. 
Para se të bëj një analizë të shkurtër të qëndrimeve të të dy kandidatëve për President lidhur me çështje të politikës kombëtare, dua të theksoj se të dy senatorët McCain dhe Obama përkrahin pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO. Qeveria amerikane ka premtuar afërsisht $40 milionë për Shqipërinë dhe $400 milionë për Kosovën për vitin 2009 (qeveria amerikane ka shpenzuar $1.2 bilionë në Kosovë që nga viti 1999). Të dy kandidatët presidencialë kanë qëndrime krejt të ndryshme lidhur me ndihmën ndërkombëtare: McCain përkrah reduktimin e ndihmës ndërkombëtare, kurse Obama përkrah rritjen e saj.  
Po paraqes këtu më poshtë një përmbledhje të pozitave të kandidatëve për President lidhur me çështje kyçe që janë me interes për ne dhe për familjet tona:
Shëndetësia: Obama përkrah sistemin e sigurimit shëndetësor të subvencionuar nga punëdhënësit dhe sigurim shëndetësor për të gjithë deri në vitin 2012. McCain është kundër sigurimit shëndetësor për të gjithë dhe ofron në vend të tij një lehtësim në taksa, duke i dhënë individëve $2.500 si kredit në taksa dhe një familjeje $5.000, në mënyrë që ata të mund të zgjedhin vetë se ku do ta marrin shërbimin shëndetësor.
Taksat: McCain do t’i kthejë në të përhershme uljet e taksave mbi të ardhurat dhe mbi investimet që u filluan nga Bush, duke e ruajtur nivelin aktual të taksimit. Obama përkrah rritjen e taksave për ata që kanë të ardhura mbi $250.000 dhe ofron uljen e taksave për ata që fitojnë më pak se $100.000 (95% e amerikanëve do të përfitojnë nga propozimi i Obamës për uljen e taksave).
Emigracioni: Të dy kandidatët përkrahin legalizimin e emigrantëve ilegalë.
Ekonomia: Obama është kundër transferimit të vendeve të punës në vende të tjera të botës, përkrah rritjen e pagës minimale dhe sindikatat. McCain është në favor të subkontraktimit të punës në vende të tjera të botës, është kundër rritjes së pagës minimale dhe kundër sindikatave.
Zgjedhja e një Presidenti është një zgjedhje personale. Të luftosh gjysmë të vërtetat, keqdashjen dhe intolerancën është një përpjekje kolektive. Unë kam besim se ne si komunitet do t’u bashkohemi bashkëkombësve tanë amerikanë për të zgjedhur një president që besojmë se do t’u shërbejë më së miri interesave tona.

*Fron Nahzi ka botuar artikuj në gazeta kryesore në Europë dhe në SHBA. Gjatë 17 viteve të fundit ai është angazhuar në programe për zhvillim ndërkombëtar në Europën Lindore dhe në Azinë Juglindore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›