E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Fitimi i firmës për Durrës-Morinë, në 10 muaj, 86 milionë euro

Fitim kolosal dhe të pajustifikuar e ka quajtur deputeti i PS-së, Erion Braçe, fitimin e deklaruar të firmës që po ndërton rrugën Durrës- Morinë. Në diskutimin e lirë, sot në seancë, duke u ndalur në shifrat e deklaruara në organet tatimore Braçe ka sqaruar se kjo është një vjedhje e hapur që është bërë, e favorizuar nga vetë qeveria.

“Norma e fitimit të kësaj firme është e llahtarshme. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e rrugës Durrës-Morinë dhe për segmentin Rrëshen-Kalimash, por firma ‘Bechtel-Enka’ po fiton më shumë se ç’duhet. Nga 250 milionë euro të paguara për 10 muajt e parë ka pasur edhe mbi 80 milionë euro fitime. Kjo do të thotë se 40% e lekëve të marra borxh për ndërtimin e rrugës janë vjedhje. Kaq për këtë mrekulli inxhinierike”- tha Braçe.

Pas fjalës së tij, ka replikuar ministri Lulzim Basha, duke sqaruar se

në momentin e kontraktimit të veprës, çmimet bazë kanë qenë me gjysmën e kuotës që janë sot. “Mos bëni demagogji. Tregojini shqiptarëve se çfarë bëtë me taksën e rrugës Durrës-Kukës dhe kush i vodhi”- tha ai.

Në përgjigje të tij, Braçe ka ironizuar edhe njëherë. “Është e habitshme që sa herë flitet për këtë rrugë, ti e merr vetë fjalën”- tha ai, duke shtuar se vetëm për shpifje nuk bëhet fjalë.

“Unë tregova numrat e bilancit të treguar në organet e tatimeve ku duket fitimi. Po lë mënjanë xhestin e Berishës për të ulur tatim fitimin dhe gjithë të tjerat që ka bërë ai. Kompania në fjalë ka shitur shumë shtrenjtë ato që ka blerë shumë lirë. A mund të më thoni se sa është vlera përfundimtare e projektit?”- iu drejtua ai Bashës.

***Tiranë- Kuvendi nisi seancën plenare të radhës, ku pritet shqyrtimi dhe miratimi i dy projektligjeve. Seanca nisi me debat të lirë një orësh, ku deputetët trajtojnë probleme të zonave të tyre elektorale dhe çështje të ndryshme nga aktualiteti.

Më pas axhenda parlamentare do të vijojë me diskutimin e projektligjit “Për sektorin e gazit natyror” dhe projektvendimin "Për disa shtesa dhe ndryshime në "Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë“.

Gjithashtu, sot pritet të votohet dhe p/ligji "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore“, i diskutuar një javë më parë në seancë plenare të së hënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›