Vrau vjehrrën, kërkon mëshirë në gjyq
Tiranë- Gruaja që vrau vjehrrën, sepse dyshonte për një lidhje mes saj dhe bashkëshortit ka kërkuar mëshirë sot në sallën e gjyqit.
Pas kërkesës së prokurorit për dënimin me 16 vite burg të Vasilika Maznikut, ka qenë radha e mbrojtjes për të dhënë versionin e tyre të ngjarjes dhe rrethanat në të cilat ndodhi krimi.
Gruaja 63-vjeçare ka shfaqur pendesë dhe ka kërkuar mëshirë, duke u justifikuar me gjendjen shumë të rënduar psikike për krimin e kryer. Të njëjtën gjë ka thënë edhe pala mbrojtëse e saj.
Sipas avokatit mbrojtës, ajo e ka kryer krimin e vrasjes së vjehrrës në kushtet e tronditjes psiqike. “Vasilika Mazniku e ka mbytur vjehrrën e saj, e cila ishte njerka e bashkëshortit të saj, pasi viktima prej vitesh kishte marrëdhënie me të shoqin e saj, Sotir Mazniku”- tha mbrojtja
Më tej, ai ka sqaruar se e pandehura i kishte kapur në flagrancë, bashkëshortin dhe vjehrrën dhe pasi kreu krimin ajo është vetëdorëzuar.
Prokurori i çështjes kërkoi dy javë më parë, 16 vjet burg për të pandehurën, për akuzën e vrasjes me dashje.
Kurse sot, avokati tha se gjykata duhet të ndryshojë akuzën në vrasje për shkak të tronditjes së fortë psikike. Seanca u shty për t’i lënë kohë gjykatës të merrte vendimin.