E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “KQZ zvarrit rezultatin, në përpjekje për manipulime”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët dënojnë zvarritjen e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si një përpjekje kriminale që synon manipulime. “Votat në Berat, Fier dhe Shkodër do të numërohen pa asnjë shtrembërim”, - tha socialisti Erjon Braçe. Sipas tij, shtrirja e paligjshme e tij përtej çdo caku, po ushqehet nga bindja kriminale e Sali Berishës për të deformuar e vjedhur votat e shqiptarëve për forcën e parë politike në vend, Partinë Socialiste. “Kjo përpjekje kriminale që shkel rëndë Kushtetutën, duke mos numëruar votat e shqiptarëve edhe 7 ditë nga hedhja e tyre në kutinë e votimit, po rrënon përfundimisht dhe pa kthim procesin zgjedhor në këtë vend, proces i cili kështu nuk ka më asnjë standard ndërkombëtar që ta bëjë të pranueshëm”, - tha ai. Braçe, duke përmendur të drejtën kushtetuese të çdo zgjedhësi, tha se çdo votë e panumëruar, çdo votë e vjedhur, cenon këtë parim kushtetues duke e bërë tërësisht të papranueshëm procesin zgjedhor. “Në Berat, qytetarët i kanë dhënë Partisë Socialiste mandatin e 5-të, (dua t ju kujtoj se edhe me bashkimin e ri Berisha-Meta, Partia Socialiste ka 8 mijë vota më shumë), mandat i cili po vidhet nga Sali Berisha. Ne kemi të gjitha provat e mjaftueshme që ai mandat është yni, ndaj kemi kërkuar duke u mbështetur në ligj, transparencë mbi çdo votë të numëruar në kushte terrori e presioni kriminal në KZAZ nr 1”, - deklaroi ai. Braçe sqaroi se është kërkuar rivlerësim i 750 votave të pavlefshme, të shpallura të tilla në kushte presioni e pa vendim të administratorëve në KZAZ nr. 1 si dhe të 1448 fletëve të votimit të pavlefshme, të shpallura të tilla me vendim numerik shumice të administratorëve të KZAZ nr 2. Kreu i kandidatëve socialistë të Beratit theksoi se pa numërimin e çdo vote, nuk ka standarde dhe pa standarde nuk ka mandate.
Ky lajm është publikuar: 07/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›