E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Korrupsioni i lartë, Berisha duhet të ikë

Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, reagon pas publikimit të raportit.


TIRANË- Pas publikimit të të dhënave nga raporti i IDRA-s, nënkryetari i grupit të deputetëve të PS-së, Erion Braçe, ka deklaruar dje se është koha që Berisha dhe qeveria e tij të ikin. "59 ditë larg nga fundi i mandatit 4-vjeçar të Sali Berishës, referuar sondazhit më të fundit të USAID-it mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, çdo shqiptar ka të qartë tashmë dy gjëra: 48.5 % e shqiptarëve mendon se korrupsioni në këtë vend është rritur në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që 38 % e shqiptarëve mendon se korrupsioni ka mbetur i njëjtë me një vit më parë (vit kur korrupsioni që përsëri më i lartë); Besimi i qytetarëve shqiptarë tek institucionet në luftën kundër korrupsionit ka pësuar sërish rënie në krahasim me një vit më parë. Institucioni që, në sy të shqiptarëve shihet si institucioni që ndihmon më pak në luftën kundër korrupsionit, mbetet qeveria", tha Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, shtoi se, qeveria e drejtuar nga Berisha dhe Kuvendi, gëzojnë një nivel skandaloz besimi, respektivisht me 42.1 dhe 40.3 pikë, kur besimi tek qeveria vendore kap nivelin 49 pikë dhe besimi tek kryebashkiakët në rang vendi, kap nivelin e 51.4 pikëve. "Qeveria e Sali Berishës dhe Parlamenti i Jozefina Topallit mbeten institucione jo transparente, veçanërisht ky i fundit, me 47.2 pikë, ndërkohë që qeveria vendore ka nivelin më të lartë të transparencës, 54.7 pikë. Kjo është pasqyra e vlerësimeve që shqiptarët bëjnë për korrupsionin, transparencën dhe besimin tek institucionet", - tha Braçe.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›