E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit ankohen tek Topi për punësim dhe strehim

30/04/2009  Presidenti i Republikës i siguron Shoqatës së të Verbërve mbështetje morale

Presidenti i Republikës Bamir Topi priti dje në Pallatin e Brigadave një përfaqësi të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, kryesuar nga presidenti i kësaj shoqate Sinan Tafaj. Kreu i shtetit shqiptar, pasi u njoh me shqetësimet e përfaqësuesve të kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, që, siç ka deklaruar vetë Presidenti, i ka pasur gjithmonë në vëmendje, u premtoi se do të ndjekë vazhdimisht situatën. Po ashtu ai i siguroi ata mbi mbështetjen e pandërprerë dhe të fortë sa morale aq dhe institucionale për këtë shtresë delikate të shoqërisë shqiptare, duke u sugjeruar njëkohësisht ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore për arritjen e një zgjidhjeje sa më të drejtë e konsensuale. Në fillim të takimit përfaqësuesit e shoqatës i paraqitën Presidentit Topi problemet me të cilat përballet komuniteti i tyre prej dhjetë mijë e dyqind personash, duke kërkuar më tepër vëmendje nga shteti për strehim e punësim, por duke parashtruar sidomos kërkesën e ngritur prej disa kohësh prej tyre për mosindeksim të pagave të të verbërve si dhe zbatimin ligjor të statusit të të verbrit, i cili përfshin të drejtën për arsimim, për punësim, lehtësira në strehim etj. Vetë kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Sinan Tafaj, pasi shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve të verbër për pritjen që u bëri Presidenti i Republikës, i shtroi atij një sërë shqetësimesh të kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, duke kërkuar dhe theksuar në mënyrë të veçantë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në mënyrë që të mos diskriminohen personat me aftësi të kufizuara. Ky takim është i disati që kreu i shtetit shqiptar zhvillon me përfaqësi të shoqatave të ndryshme në vendin tonë, shoqata që përfaqësojnë kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Numri një i shtetit shqiptar është takuar me përfaqësi të ish-ronarëve për problemin e pronave, përfaqësi të ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë për çështjen e dëmshpërblimit nga qeveria shqiptare për vitet e vuajtjeve gjatë viteve të komunizmit etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›