E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje LSI-PESH

Tiranë -Lëvizja Socialiste ka nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet me Partinë e Emigrantëve Shqiptarë (PESH). Marrëveshja u nënshkrua në selinë e LSI-së në Tiranë, nga kryetari i kësaj partie, Ilir Meta dhe ai PESH-it, Ymer Kurti. “Ky bashkëpunim do t'i shërbejë afirmimit të emigrantëve shqiptarë që të përfaqësohen drejtpërdrejtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë", tha z. Meta pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Sipas tij, zëri i shqiptarëve që jetojnë jashtë duhet të jetë një zë që duhet të dëgjohet drejtpërdrejtë në kuvendin që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i LSI-së premtoi se forca që drejton do të bëj gjithçka për njohjen e sigurimeve shoqërore, shëndetësore të emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme, si dhe do të favorizojë investimet e tyre në Shqipëri.

"Me njohuritë dhe eksperiencën që kanë fituar në vendet ku jetojnë dhe punojnë, emigrantët do të kontribuojnë shumë për arritjen e standardeve evropiane në Shqipëri”, vlerësoi ai. Kryetari PESH-së, Ymer Kurti shprehu besimin se “nën kujdesin dhe përkrahjen e LSI-së, do të vihen në rrugën e duhur të gjitha problemet, dhe emigrantët do të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e ardhshëm”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›