E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja përmes dialogut social

30/04/2009  Socialisti Manjani kritika në adresë të Kryeministrit Berisha për çështjen e pronave

“Qeveria "Berisha" gjatë katër vjetve thelloi problemet që lidhen me pronat”

Partia Socialiste lëshoi akuzën e radhës për qeverinë “Berisha”, kësaj radhe lidhur me çështjen e pronës. Socialistët konstatojnë se Kryeministri Berisha është tallur rëndë me pronarët, të cilët prisnin kompensimin e pronës së tyre. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Ligjeve dhe Administratës në PS Ylli Manjani gjatë një deklarate për shtyp akuzoi se qeveria dështoi në premtimin e zgjidhjes së çështjes së pronës. “Konstatojmë me shqetësim se Sali Berisha dhe qeveria e tij jo vetëm nuk zgjidhi çështjen e pronave, por thelloi problemet që lidhen me këtë çështje. Sot çështja e pronave është gjithnjë e më e pazgjidhur sesa 4 vjet më parë dhe me kosto të shtuara, që qeveria ia faturon padrejtësisht shumicës së shqiptarëve”, - vuri në dukje Manjani gjatë fjalës së tij. Në gjykimin e tij, pronarët dhe sipërmarrësit shqiptarë sot janë më të pasigurt sesa 4 vjet më parë në investimet e tyre, pikërisht për shkak të çështjes së pronës. Qëndrimin dhe akuzat e tyre socialistët i bazuan në të dhënat që publikoi “Tranparancy International”, sipas së cilës mbi 60% të ankesave zyrtare për korrupsion dhe abuzim me ligjin bëhen për shkak të pronës. Për këtë arsye Manjani nënvizoi se “Sali Berisha, megjithëse u rrëmbeu dhunshëm kompetencën gjykatave duke lejuar zyrat e regjistrimit të saktësonin kufijtë e pronave, nuk zgjidhi asnjë konflikt, përkundrazi, shtoi konfuzionin dhe abuzimin me të drejtën e pronës në vend”. Ndërkohë ai garantoi zgjidhjen e kësaj çështjeje nën qeverisjen e PS-së. “PS-ja e sheh zgjidhjen e kësaj çështjeje nëpërmjet harmonizimit të interesave të pronarëve me ato të të gjithë shqiptarëve. Në këtë funksion, dialogu social dhe qeverisja konsensuale e shqiptarëve pas 28 qershorit do ta zgjidhë këtë çështje përfundimisht”, - u shpreh Manjani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›