E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hapen dosjet dhe për drejtuesit e fesë

18/01/2009  Anëtari i komitetit të muslimanëve Arben Ramkaj: Të amendohet ligji, ka të implikuar

ELBASAN- Drejtues të Komunitetit Musliman në Elbasan kanë kërkuar që dhe në fe të hapen dosjet për të implikuari në sistemin komunist. Madje kjo duhet të rregullohet në ligj për të pasur efektivitet. Kjo deklaratë është bërë dje gjatë një aktiviteti me të varfrit dhe shpërndarjen e parave nga donacioni i familjes kuvajtjane nga anëtari i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Komunitetit Musliman Shqiptar Arben Ramkaj.

Kërkesa

Ai është shprehur se “Komuniteti Musliman dhe Myftinia e Elbasanit mbështet fuqishëm ligjin mbi dosjet. Në emër të këtij komuniteti unë deklaroj se për fenë duhet të ketë një amendim të posaçëm. Mendoj se ky ligj duhet të jetë i vlefshëm për të gjitha komunitet fetare. Një gjë e tillë është praktikuar edhe në vendet e tjera të Lindjes dhe Shqipëria nuk ka pse të bëjë përjashtim. Ligji nuk duhet të kufizohet vetëm në ato kategori por të shtrihet edhe në fe, shoqëri civile, shoqata joqeveritare etj”. Ramkaj ka deklaruar gjithashtu se të gjitha komunitetet fetare duhet të jenë të gatshme për këtë verifikim duke shkëputur në këtë mënyrë çdo lidhje me diktaturën që i dha goditjen më fatale feve në Shqipëri. Arben Ramkaj është drejtues i Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar ka komentuar ligjin e dosjeve si një ligj të mirëpritur edhe nga organizmat fetarë. Ai e cilësoi si një ligj që u duhej shqiptarëve madje hodhi idenë që të amendohej duke shtuar aty edhe lustracionin mbi komunitetet fetare, organizatat apo shoqatat. Kjo deklaratë e fortë ka ardhur në një kohë kur përfaqësitë fetare kanë qendruar në heshtje në lidhje me këtë çështje mjaft të nxehtë. Përfaqësuesi i Komunitetit mysliman në Elbasan hedh dyshime se edhe në fe sot mund të ketë njerëz që kanë qenë të implikuar në dikaturën komuniste. Ramkaj që ka mbaruar studimet në teologji nuk e ka përqendruar deklaratën e tij vetëm tek feja myslimane por tek të gjitha fetë, organizatat e shoqatat në Shqipëri. Ai e drejton këtë qendër prej disa vitesh dhe ka qenë një urë lidhjeje për ndihmën e donatorëve të huaj sidomos për familjet e varfra.

Drafti

Ndërkohë vetë ligji i cili tashmë ka hyrë në fuqi vepron vetëm mbi deputetët, drejtuesit e lartë të administratës si dhe ata të medias shtetërore. Por ndërsa për kandidatët për deputet do të kërkohet që gjithçka të bëhet transparenca para nisjes së fushatës elektorale, drejtuesit e lartë do të duhet të përballen me komisionin e posaçëm i cili do të verifikojë të gjithë dosjet e mbetura. Ndërkohë që për herë të parë është kërkuar që dhe krerët e komuniteteve fetare të jenë transparent për të shkuarën e tyre si dhe për kontributin që mund të kenë dhënë gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Kërkesë kjo që duket se do të mbesë vetëm si e tillë për shkak se gjatë gjithë diskutimit mbi këtë çështje asnjëherë nuk është folur për këtë kategori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›