E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Largimi i Prençit, provë e qartë që shteti është kapur nga mafia

Share

Pas dorëheqjes së drejtorit të policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, që akuzoi se u detyrua nga mafia e kromit të ndërmerrte këtë veprim, ka reaguar edhe deputeti socialist, Erion Braçe. Sipas këtij të fundit, ky shtet është i kapur nga mafia. Braçe ka thënë se një bisnesmen që ka një grup mediatik në Tiranë, detyroi qeverinë që të largonte Prençin, për shkak të problemeve që i kishte hapur në Bulqizë.

Drejtori i policisë së qarkut Dibër dorëhiqet. Shteti zgjodhi të jetë me Mafian e Kromit në Bulqizë. Shteti zgjodhi të tradhtojë shërbëtorin e tij. Ky është shtet privat.

Prej dy muajsh grupi mediatik i një biznesmeni të qeverisë në Tiranë, pronar i disa shpellave të kromit në Bulqizë, sulmoi çdo veprim ligjor të drejtorit të policisë së Dibrës. Sot ja doli të detyrojë edhe qeverinë të zgjedhë mes interesave të tij në krom dhe shërbëtorit të shtetit. Ky është shtet i kapur nga mafia.

Vetëm një vërejtje kam: Drejtor, ti nuk duhet të tërhiqëshe! Mund të të shkarkonin, por jo të dorëzoheshe! Tani Mafia i ka shpellat e lira!, thuhet në një reagim të deputetit socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›