Rama firmos draftin e aleatëve

Rama me aleatet
Partitë e vogla mbledhin firmat për propozimin e korrektimit të sistemit zgjedhor.
Milo e Ndoka: E dominove tryezën me pula dhe ballistë.
Partia Socialiste u shpreh dje e gatshme për korrektimin e sistemit zgjedhor në Kod. Këtë gatishmëri e shprehu dje kryetari socialist, Edi Rama, i cili firmosi pro propozimeve të partive të vogla, të bëra publike dy ditë më parë në një tryezë ku ishin thirrur 25 parti politike parlamentare dhe joparlamentare. Rama ka shprehur angazhimin e tij për ta përfshirë draft-propozimin e të vegjëlve në axhendën e Komisionit të posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ndërsa është pranuar që në mbledhjen e Komisionit Parlamentar kur do të diskutohet rreth këtij propozimi të jenë të pranishëm edhe kryetarët e partive politike. Por edhe dje, takimi i aleatëve me Ramën nuk u shpëtoi debateve për çështje të sistemit zgjedhor dhe akuzave të ndërsjella. Aleatët i kërkuan Ramës të ruajë qetësinë në debate të tilla, por kanë shprehur habi se përse kreu i PS ka ndërruar qëndrim ndaj ndryshimit të sistemit zgjedhor. Madje ata e kanë akuzuar Ramën për një pakt të fshehtë me PD për reformën zgjedhore. Ishin kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, Paskal Milo i Demokracisë Sociale, Nard Ndoka i Partisë Demokristiane, si dhe kreu i PSV 91, Petro Koçi që takuan dje në mesditë në zyrën e tij në selinë e PS, kreun e kësaj partie, ku kanë marrë dhe firmën e tij. Pas takimit, kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, i bëri thirrje Partisë Demokratike që të reflektojë pasi kjo nuk është kërkesë vetëm e opozitës, por edhe e aleatëve të maxhorancës. Ajo që kërkojmë nga ky dokument dhe që do ti dërgohet shpejt Komisionit të Reformës Zgjedhore është çështje me rëndësi për shqiptarët që votojnë. Ka të bëjë me barazinë e votës dhe të drejtën kushtetuese, ndaj duhet mbështetur nga të gjithë. Është nënshkruar nga një numër i madh i partive politike, 26 parti politike. Shpresojmë që edhe PD të reflektojë dhe të mbështesë korrektimin kombëtar, pasi kërkesa nuk vjen vetëm nga parti aleate të opozitës, por edhe të PD, siç është LSI, u shpreh Milo.
Pragu elektoral
Për tu dhënë mundësi përfaqësimi partive të vogla, partitë e tjera, përveç PD dhe PS, kanë propozuar dhe rregullim të pragut që nevojitet për të marrë një mandat deputeti. Ata kanë propozuar uljen e pragut elektoral në 2% të partive që konkurrojnë më vete dhe 4% për koalicionet. Partitë e vogla e kanë cilësuar penalizues pragun elektoral aktual, i cili, sipas tyre, përjashton partitë e vogla apo partitë e reja që hyjnë në zgjedhje. Aktualisht pragu për një parti është 2.5% dhe për koalicionet 4% që të marrin mandate deputetësh.
Kerkesa
Janë rreth 26 parti parlamentare dhe joparlamentare aleate të dy partive të mëdha, PD-PS, që kanë firmosur propozimet për korrektimin e sistemit zgjedhor përmes ndërhyrjeve në Kodin Zgjedhor. Kreu i PDS, Paskal Milo, është përpjekur dje të mbledhë firmat e aleatëve të PS, ndërsa Arian Madhi, sekretar i Përgjithshëm i republikanëve, ka mbledhur firmat e partive të të djathtëve. Partitë aleate të dy partive të mëdha kërkuan angazhimin e tyre për korrektim të sistemit zgjedhor përmes Kodit Zgjedhor.
Korrektimi
Aleatët e dy partive të mëdha, PD dhe PS, nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, i cili është i përcaktuar në Kushtetutë, por korrektimin e tij. Për këtë ata kanë propozuar një formulë që do të bëjë të mundur llogaritjen dhe shpërndarjen e mandateve me qëllim korrektim proporcionalisht të votave për çdo subjekt zgjedhor si dhe aplikim i një formule që realizon një ndarje të plotë proporcionale brenda koalicionit në nivel rajonal. Aleatët, në dokumentin që kanë përgatitur nuk kanë përcaktuar elementin teknik duke ia lënë Komisionit të Reformës Zgjedhore ta
përcaktojë atë.
Debati i Ramës me aleatët
Edi Rama: Debati juaj i djeshëm u përqendrua te sistemi zgjedhor, duke e cilësuar atë jokushtetues, jodemokratik, ndërsa të gjitha sistemet janë demokratike, varet si i zbaton në praktikë.
Skënder Gjinushi: Sistemi aktual, ky proporcionali spanjoll, për Shqipërinë është antikushtetues, sepse nuk garanton barazinë e votës. Për të marrë një mandat deputeti diku kërkohen 30 mijë vota dhe diku 6 mijë vota, kjo nuk është e drejtë dhe nuk është barazi vote.
Petro Koçi: Ka dhjetëra mënyra për të bërë korrektim, dhe kjo kërkon vetëm vullnet. Ne duhet të gjejmë zgjidhje të pjekura e të mos e shohim përmirësimin e Kodit Zgjedhor vetëm si mekanizëm që na garanton ardhjen në pushtet përmes garancive në zgjedhje, por dhe si barazi të votës së qytetarëve.
Nard Ndoka: Ti vetë ke bërë në të shkuarën dhe deklarata publike lidhur me sistemin dhe domosdoshmërinë e ndryshimit të tij. Ndërsa dje, gjatë tryezës, në fjalën tënde dilje e na mbroje sistemin dhe para PD dhe në emër në PD, duke iu kundërvënë të gjithëve. Çfarë të ka detyruar që të ndryshosh qëndrim dhe të dalësh krejtësisht dhe egërsisht kundër qëndrimit të mëparshëm? Mos ka ndonjë pakt me PD-në që ne nuk e dimë?!
Edi Rama: Asnjë pakt të fshehtë nuk ka me PD-në. Ne po zhvillojmë një reformë të plotë zgjedhore, jua thashë edhe dje, dhe kemi gjetur dakordësi në parim për shumë çështje që vetë ne i kemi ngritur pas zgjedhjeve të 2009-s dhe të 2011-s, si për çështjen e votimit dhe identifikimit të zgjedhësve, listave zgjedhore dhe numërimit të votave, për ta bërë sa më të vogël ndërhyrjen e njeriut në këtë proces dhe duke rritur garancitë e procesit. Ju dje, si aleatët e PS, por dhe ata të PD-së, iu kundërvunë Partisë Socialiste, thua se ne jemi përgjegjësit e vjedhjes së votës dhe deformimit të rezultatit zgjedhor në dy zgjedhjet e fundit.
Paskal Milo: Në tryezën e partive na dominoi pula dhe ballistët, duke tjetërsuar qëllimin e mbledhjes dhe shfokusuar vëmendjen e debatit për reformën.
Nard Ndoka: Ti na flet për sistemin, nuk na jep asnjë garanci.
Nëse nuk ka korrektim, unë nuk mund të jem pjesë e koalicionit tuaj.
Edi Rama: Çfarë garancish kërkoni më shumë nga unë? Unë e kam shprehur vullnetin politik, për të bërë korrektim dhe përmirësim të sistemit, kërkohet dhe dakordësia e palës tjetër. Unë firmos propozimet tuaja dhe do të kërkojmë që këto propozime të futen në axhendën e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Reagon bashkëkryetari demokrat për reformën zgjedhore
Rusmali: Vlerësojmë nismëtarët, Rama ndryshoi qëndrim nga dje sot

Ilir Rusmaili
Bashkëkryetari demo-krat në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmali, reagoi dje pasi kreu i PS-së, Edi Rama, firmosi një nismë të partive të vogla për të ndryshuar sistemin zgjedhor në proporcional kombëtar. I kontaktuar nga gazeta Panorama, ai tha se ne përgëzojmë nismë-tarët dhe vlerësojmë pozitivisht faktin që Rama ndryshoi qëndrimin nga dje deri më sot. Dy ditë më parë, Rusmali u shpreh i gatshëm për të marrë në konsideratë dhe për ti shqyrtuar të gjitha propozimet e partive të vogla. Duke folur në tryezën e organizuar nga Partia Republikane dhe Partia Demokracia Sociale, ai u shpreh: Ju siguroj në emër të Partisë Demokratike, ne erdhëm