Vlorë, kapet i arratisuri nga burgu në Itali

Policia e Vlores / Foto ilustruese
Një operacion i policisë së Vlorës, i koduar I arratisuri, ka vënë në pranga një person të shumëkërkuar nga drejtësia italiane. Leonard Myrtaj, 34 vjeç, banues në fshatin Trevllazër të Vlorës ishte në kërkim nga Interpoli, pasi Gjykata e Firences e kishte dënuar me 11 muaj burg për veprat penale Posedim dhe shpërndarje lëndësh narkotike, Vjedhje, Rrëmbim personi, Ushtrim dhune kundër personave të tjerë, Përdorim i dokumenteve të falsifikuara dhe Hyrje e paligjshme në territorin italian.
Myrtaj konsiderohej si person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i njohur për lidhjet e tij me Dritan Rexhepaj.
Sipas policisë së3 Vlorës, Myrtaj në bashkëpunim me dy persona të tjerë, në 3 tetor 2001 ka poseduar dhe shitur lëndë narkotike.
Në 11 prill 2003 në Firenze, në bashkëpunim me persona të tjerë ka vjedhur një automjet duke dhunuar pronarin e tij dhe gjatë periudhës 17 dhe 18 janar 2008 në bashkëpunim me dy të tjerë ka marrë peng një biznesmen italian të cilin e ka keqtrajtuar dhe kërcënuar dhe më pas e ka lënë të lirë pasi ka marrë shumën prej 12 mijë euro nga familjarët e tij.
Mbasi është dënuar dhe ka qenë duke vuajtur dënimin ky shtetas së bashku me dy persona të tjerë, Dritan Rexhepi, 31 vjeç dhe Ylli Ndoi, 34 vjeç, të dënuar për vepra të rënda penale janë arratisur nga burgu i Vogeras, në Pavia Itali.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij në Itali.