E Hënë, 2 Nëntor 2026

Braçe: Me ndarjen është masakruar Shqipëria

27/02/2005  Deputetët e Vlorës dhe të Beratit paralajmërojnë debate të ashpra në seancën e së hënës

Muçi: Me ndryshimet e bëra e humbur ka dalë Partia Socialiste

Ndarja e zonave elektorale duket se do të sjellë debate të ashpra në seancan plenare të ditës së hënë. Marëveshja e arrituar mes dy forcave kryesore të politikës për përcaktimin e hartës zgjedhore, me kontributin e Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, duket se ka lënë të pakënaqur deputetët socialistë. Edhe pse me rezerva, shumica e deputetëve të PS-së të kontaktuar nga "Metropol" kanë theksuar se përcaktimi i kufijve të zonave elektorale veçanërisht në Qarkun e Beratit dhe të Vlorës i ngjan më shumë një amalgame, vendimesh. Hartën zgjedhore e ka kundërshtuar dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët duket se janë "dëmtuar" nga konfiguracioni i zonave zgjedhore. Gjatë këtyre dy ditëve, duket se deputetët do të tregojnë interes më të madh për t'u njohur më mirë me ndarjen që i janë bërë zonave të tyre elektorale. Qarqet më të prekura nga ndryshimet janë ai i Beratit dhe Vlorës, prej të cilëve janë hequr përkatësisht nga një zonë elektorale.

Reagimi

Ndarja ende e pazyrtarizuar nga dy sekretarët e partive kryesore në vend, Gramoz Ruçi dhe Bamir Topi, ka sjellë reagimet e para kontestuese nga deputetët socialistë. Erion Braçe e ka cilësuar ndarjen elektorale të hartuar nga dy forcat politik si një "masakër që i është bërë Shqipërisë". Braçe sqaron se "nuk mund të ndahen zonat e qytetit dhe t'i bashkangjiten zonave në komuna. Është bërë një amalgam në të gjithë vendin". Gjithsesi, pasi deputetët të informohen konkretisht me ndryshimet që i janë bërë hartës zgjedhore nga ekspertët e tri palëve të përfshira në negociata do të japin dhe reagimet më të detajuara. Për këtë do të pritet seanca parlamentare e së hënës, pasi drafti do të kalojë për diskutim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Edhe pse shprehen indiferentë, përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim deklarojnë se, në kuadrin e reformës zgjedhore, ka probleme më madhore se ndarja. Sipas kerut të LSI-së, Ilir Meta, kjo parti nuk ka qenë shumë e interesuar, pasi "mendojmë se janë cënuar gjëra më të rëndësishme sesa thjesht ndarja e zonave. Për sa i takon procesit të administrimit të zgjedhjeve, jemi të bindur se PS-ja dhe PD-ja nuk kanë vullnetin të respektojmë votën e lirë të shqiptarëve". Ndërkohë, që ministri i Shtetit njëkohësisht dhe deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, është shprehur për "Metropol" se "veçanërisht për zonën e Beratit nuk më erdhi mirë që u hoq një zonë elektorale nga ky qytet. Por, kjo gjë duhet respektuar, sepse janë zbatuar kriteret e përcaktuara në kodin zgjedhor dhe ndarja ka ardhur si rezultat i llogaritjes së regjistarve zgjedhore".

Mustafa Muçi

Deputeti i LSI-së në zonan e Beratit, Mustafa Muçi, shprehet lidhur me ndarjen e elektorale të vendit se "nuk kam asnjë koment, lidhur me ndarjen që i është bërë zonave elektorale të vendit, për shkak se nuk kam asnjë informacion se si është bërë kjo ndarje. Gjithsesi në zonën time mund të them në vija për përgjithshme se nga kjo ndarje është dëmtuar dhe Partia Socialiste.

Erion Braçe

Aktualisht, nuk kam asnjë informacion dhe nuk mund të bëj koment për ndarjen e zonave elektorale, veçanërisht për zonën time. Mund të them se kjo ndarje, që është bërë dhe pritet të nënshkruhet ditën e hënë, e ka masakruar Shqipërinë. Nuk mund të ndahen zonat e qytetit dhe t'i bashkangjitet zonave në komuna. Është bërë një amalgam me të gjitha zonat në Shqipëri.

Sabit Brokaj

Kryetari i Grupit parlamenatr të LSI-së, njëkohësisht dhe deputet në Qarkun e Vlorës, Sabit Brokaj, tha se, "nuk kam marrë asnjë informacin se si është bërë ndarja në rrethin e Vlorës dhe nuk mund të bëj asnjë koment, pa parë në fillim ku janë ndryshimet. Është krejt normale që aty ku ka pasur një popullsi që nuk përmbushte kriterin për të plotësuar një zonë elektorale të bëhen ndryshimet.

Marko Bello

Nuk na erdhi mirë që u hoq një zonë elektorale nga rrethi i Beratit, por kjo gjë duhet respektuar, sepse janë zbatuar kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe ndarja ka ardhur si rezultat i llogaritjes së numrit të zgjedhësve dhe regjistrave zgjedhore. Duke ju referuar këtyre llogaritjeve, i binte që të hiqej një zonë. Aktualisht, qyteti i Beratit, nga 5 deputetë që ka pasur, do të ketë vetëm 4 të tillë.

Ilir Meta

Për sa i takon çorbës së fundit, të bërë nga PS-ja dhe PD-ja për ndarjen e zonave elektorale, ne nuk kemi qenë shumë të interesuar, pasi mendojmë se janë cënuar gjëra më të rëndësishme sesa thjesht ndarje e zonave. Për sa i takon të gjithë procesit të administrimit të zgjedhjeve jemi të bindur se PS dhe PD nuk kanë vullnetin të respektojmë votën e lirë të shqiptarve.Të vegjlit kundërshtojnë zonën me minoritet të pastër

Bashkimi i zonave me pakicë minoritare, i propozuar në projektin e OSBE-së, ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime të partive të vogla parlamentare, si nga mazhoranca ashtu dhe nga opozita. Të kënaqur nga bashkimi i Himarës me Delvinën, janë shfaqur vetëm përfaqësuesit e PBDNJ-së, të cilët deklarojnë se ky bashkim përmbush interesat e kësaj partie, pasi krijohet një vijë me 20 fshatra gerqishtfolës. "Ne nuk do ta kontestojmë sepse i përmbush interesat tona dhe krijohet një vijë e mirë me greqishtfolës nga Himara në Delvinë me 20 fshatra", tha dje deputeti i PBDNJ-së, Kristo Goxhi. Por nuk kanë qenë të të njëjtit mendim me PBDNJ-në dhe me propozimin e Prezencës së OSBE-së partitë e tjera të vogla të parlamentit shqiptar. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ka deklaruar se kjo ndarje është bazuar në krahinizma dhe rrezikon të sjellë tensione artificiale në kohë zgjedhjesh. Ndërkohë që aleancisti Neritan Ceka nuk ka ngurruar ta quajë bashkimin e zonave minoritare si veprimin më antikombëtar që kanë bërë dy partitë e mëdha në vend, PS dhe PD, nën bekimin e OSBE-së. Kundër bashkimit të Himarës me Delvinën është shprehur edhe kryetari i Grupit parlamentar të LZHK-së, Maksim Begeja, i cili thotë se këto dy krahina nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën në 200 vjetët e fundit. "Është e papranueshme që të bëhet bashkimi, pasi nuk kanë asgjë të përbashkët të paktën 200 vjetët e fundit", tha Begeja.

Ditën e hënë pritet nënshkrimi i draftit për ndarjen e zonave elektorale të vendit, hartuar nga dy partitë kryesore të politikës, Partisë Socialiste edhe asaj Demokratike. Akti i zyrtarizimit të këtij projekligji pritet të bëhet paraditen e së hënës në selinë e OSBE-së, ku për PS-së do të firmosë Gramoz Ruçi, ndërsa për PD-në, Bamir Topi. Projektligji do të ndjekë procedurat e përshpejtuara të punimeve të Kuvendit për t'ju përmbajtur afateve të mbetura për miratimin e reformës zgjedhore. Kështu, komisionet përkatëse të Kuvendit do të shqyrtojnë në fillimin e javës së ardhshme të gjitha anekset e draftit, për ta sjellë më pas për diskutim dhe miratim në seancë parlamentare. Pas aporovimit nga ana e parlamentit, ky draft do të fillojë të zbatohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhje për të përgatitur kështu infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›