E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studentët, hiqet kufizimi për vazhdimin e shkollës

27/02/2005  Senati i Universitetit të Tiranës vendosi të heqë kufizimin e vazhdimit të shkollës së lartë për studentët ngelës, apo ata, që për arsye të ndryshme, janë shkëputur prej saj. Në mbledhjen e tij të fundit, senati shfuqizoi nenin 15 të rregullores së Universitetit, duke lejuar kështu qenien student për një kohë të pacaktuar për të gjithë ata që duan ta ndjekin atë, pavarësisht shkëputjeve të ndryshme kohore.

Përveç kësaj lehtësie, senati ka parashikuar edhe reduktimin e procedurave zyrtare për rikthimin në shkollë. Në qoftë se më parë një leje të tillë e jepte vetëm rektori, tani studentët, që rikthehen pas një shkëputje të gjatë, mund të aplikojnë direkt te dekani përkatës, i cili pa shumë procedura do të lejojë vazhdimin e shkollës. Pagesa për këtë akt do të jetë e njëjtë me të gjithë studentët e tjerë, pra do të paguhet vetëm kuota kryesore prej 10 mijë lekësh, ndërsa nuk është parashikuar pagesa e kuatova dytësore, të cilat kapin shumën deri në 300 mijë lekë. Besohet se vendimi i senatit të Universitetit të Tiranës do të fillojë menjëherë, duke iu afruar edhe më shumë Kartës së Bolonjës, një detyrim që i lind Shqipërisë nga përafrimi i saj me ligjet që funksionojnë në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›