E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Përplasja Bode-Basha, tregues i kapjes së shtetit

Partia Socialiste reagoi dje lidhur me përplasjen midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme për bllokimin e punës së ARMO-s. Deputeti i selisë rozë, Erjon Braçe, tha se
përplasja e dy agjencive ligjzbatuese në dyert e një biznesi privat tregon nivelin më të lartë të kapjes së shtetit shqiptar nga interesat e familjes. "Ngjarja e djeshme ka përmasat e një skandali shtetëror si produkt i përplasjes së egër të klaneve brenda FAMILJES për dominim, administrim, përfitim nga çdo e mirë publike në çdo segment të tregut", tha ai.
Braçe deklaroi se dy ministrat duhet të japin sqarime se interesat e kujt përfaqësojnë. "Interesat e kujt përfaqëson ministri i Brendshëm në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese kur urdhëron Policinë e Shtetit të pengojë zyrtarët e një tjetër agjencie ligjzbatuese të bëjnë detyrën?", vijoi Braçe. Sipas tij, ministri i Financave duhet të sqarojë se interesat e kujt përfaqëson Ministri i Financave kur për një vit të tërë lejon që një biznes privat të shkelë ligjin e të refuzojë në mënyrë të përsëritur rikthimin në ligjshmëri të aktivitetit të tij.
"Ne jemi të vendosur sot e në vijim, të zbardhim çdo detaj të skandalit të djeshëm, të marrëdhënies së korruptuar të ndërtuar prej një viti mes shtetit të korruptuar dhe një biznesi klient, të interesave të gjera, të paligjshme të familjes në pushtet", përfundoi deputeti socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›