E Diel, 1 Nëntor 2026

Polica: Nuk u përplasëm me tatimet, vetëm i ndihmuam

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit theksuan përsëri dje se nuk kanë ndërhyrë për të shpërfillur vendimin e tatimeve. Drejtori Premçi deklaron se mediat kanë dhënë informacion të deformuar lidhur me ndërhyrjen e policisë së rendit. Edhe një ditë pas ngjarjes, Premçi ka përsëritur se ndërhyrja e policisë së rendit është kërkuar nga përfaqësuesit e tatimeve. Lidhur me këtë ngjarje, pyetur nga gazeta "Shqip", shefi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, Barjam Bashkurti, është shprehur: "Ne kemi qenë qysh në momentet e para pranë vendit të ngjarjes dhe nuk kemi parë asnjë ndërhyrje të padrejtë të policisë së rendit. Ajo që mund të them, ka të bëjë me faktin se çështja në fjalë duhet hetuar nga seksioni i krimit ekonomik, që mesa di unë tashmë ka nisur nga hetimet", tha Bashkurti.
Ndërkohë, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar dje në lidhje me akuzat për përfshirjen e forcave të saj në një veprim të paligjshëm. Në një deklaratë për mediat të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thuhet se "duke marrë shkas nga deklarata e bërë në media nga z. Erion Braçe, deputet i Partisë Socialiste, ku pretendohet për një përplasje ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe Policisë Tatimore në Fier, sqarojmë se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i hedh poshtë si të pavërteta këto insinuata dhe sqaron opinionin publik se gjatë ditës së djeshme (e diel) nuk është evidentuar asnjë përplasje mes këtyre strukturave dhe bashkëpunimi i strukturave të Policisë së Shtetit me organet Tatimore në Fier ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivelet më të larta".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›